India, Botërori, Vllaznia dhe Superiorja. Kjo ësh të ajo që kroati Matko Djarmati analizon në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”. Prej pesë muajsh në një tjetër kontinent, ish-drejtori i Vllaznisë së bashku me trajnerin Tomas Brdariç, po kalojnë një aventurë tek ekipi i Çenait.

Matko, përtej Botërorit, kampionati juaj nuk është ndërprerë, si shkojnë gjërat në ekip?

Po, është e vërtetë. Jemi një nga kampionatet e rralla në botë që vazhdohet të luhet, nuk e di arsyen, por ne kemi për të zhvilluar gjashtë ndeshje për një muaj. Jemi mirë, gjërat po ashtu janë në rrugën e duhur, brenda objektivit. Aktualisht jemi në gjashtë vendet e para dhe shpresojmë që deri në fund të sezonit do të realizojmë objektivin që ka vënë klubi.

E keni ndjekur ecurinë e Vllaznisë këtë sezon, si ju është dukur ekipi?

E kam ndjekur Vllazninë, me aq sa kam pasur mundësi. I kam parë rreth 70 për qind të ndeshjeve të Vllaznisë dhe e di shumë mirë si është situata. E kam përmendur edhe më përpara dhe mendoj se mungon një sulmues pykë dhe një lojtar me fantazi. Besoj se nëse ndërhyjnë në merkaton e janarit dhe i gjejnë, do të jenë pretendentët kryesorë për të fituar titullin.

Me aq sa e keni parë, çfarë i ka munguar që ka pasur oshilacione në rezultate?

Edhe në vitet kur isha unë atje, kemi pasur oshilacione. Këtë vit më duket kampionati më i dobët sesa vjet, ku Tirana u shkëput shumë pikë përpara. Kështu më duket nga jashtë. Është pak më i ekuilibruar, ekipet janë atyaty dhe besoj se Vllaznia me pak sforco në merkato se do të arrijë të fitojë kampionatin, që nuk e fitoi dy vite përpara vetëm për dy gola.