Kukësi i ri do të ndërtohet rreth Pero Pejiçit. Fakt që, në njëfarë mënyre, e pranoi edhe vetë presidenti i nderit, Safet Gjici, i cili pret që kroati të sjellë lojtarë cilësorë të cilët mund të bëjnë diferencën e t’i ndihmojnë verilindorët për të pretenduar sërish titullin kampion.
Për ish-lojtarin që u shpall kampion dhe golashënues me këtë skuadër, ende nuk ka një post zyrtar, por të gjitha gjasat janë që të zërë vendin e Nderim Nexhipit, atë të drejtorit sportiv.
Burime të besueshme pranë gazetës pohojnë se drejtuesit i kanë lënë në dorë Pejiçit që të shohë lojtarë nga tregu i huaj, kryesisht ai kroat, duke qenë se e njeh mirë futbollin aty. Për momentin, akoma nuk janë shtruar në tryezë emra konkretë, për faktin se fillimisht duhet zgjedhur edhe trajneri, në mënyrë që të mos afrohet ndonjë futbollist që nuk është në “shijet” e tij, duke shmangur më pas edhe konfliktet.
TRAJNERI – Në lidhje me “timonierin” e ri, mësohet se në tryezë janë shtruar disa emra, por nuk po binden, për shkak edhe të disa rrymave që ka në klub aktualisht, më saktësisht tri. Një pjesë e tyre duan t’u japin besim trajnerëve të rinj në moshë dhe profesion, duke pretenduar se mund t’i japin diçka më shumë klubit.
Në këtë listë më i lakuari aktualisht vijon të mbetet emri i Bledar Devollit, ndërsa më me pak shanse është edhe Nevil Dede. Ndërkohë, një tjetër rrymë në klub është ai i besimit të trajnerëve që kanë shumë vite eksperiencë, siç ishte rasti i Mirel Josës, pasi një klub që do të pretendojë të fitojë titullin kampion, i duhet rrjedhimisht edhe një trajner që ta ketë në CV-në e tij një trofe të tillë.
Në fakt, në qarkullim nuk janë të shumtë nga këta teknikë, kjo edhe për faktin se kanë qenë edhe në të kaluarën te Kukësi dhe lista është ngushtuar shumë. Rryma e tretë, në të cilën bën pjesë edhe Pejiç, është ajo e një trajneri të huaj, mundësisht nga Kroacia, pasi mund t’i japë diçka më shumë klubit. Gjithsesi, burimet pohojnë se brenda kësaj jave do të mbyllet patjetër kjo çështje, pasi klubi duhet të nisë afrimin e lojtarëve në merkato dhe më pas të nisë përgatitjet.
MERKATO – Nëse nga Pejiç shpresat janë për të evidentuar ndonjë futbollist të huaj, në kampionatin shqiptar kanë filluar të lakohen emrat e parë, kjo edhe për faktin se njihen mirë në klub. Pas Mustës së Laçit dhe dyshes së Kastriotit, De Silva dhe Bardhi, me këtë të fundit që ka më pak shanse në krahasim me sa u mendua në fillim, në skenë ka dalë edhe një dyshe nga Vllaznia.
Bëhet fjalë për mesfushorin Herald Marku, i cili kërkohet edhe nga Partizani dhe mbrojtësin Dajan Shehi, për të cilin ka interesim edhe nga Tirana. Futbollistët pëlqehen në Kukës dhe pas zyrtarizimit të trajnerit të ri do t’i hidhen në tavolinë emrat e piketuar aktualisht, nëse do të bëjnë pjesë në skemat e tij apo jo.
Në kahun tjetër, pas shtatë largimeve të deritanishme, të tjera po përgatiten. Klubi po mundohet të mbyllë me marrëveshje kontratën me disa lojtarë, në mënyrë që të mos kenë probleme me gjyqet më vonë.