Ylli portugez i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, ka thënë se nuk i interesojnë rekordet personale. Kjo deklaratë e tij erdhi pasi arriti shifrën e 43 golave në këtë vit kalendarik, pasi shënoi dy gola jashtëzakonisht të bukur dy ditë më parë.

Ronaldo e çoi numrin e golave të tij të klubit për vitin kalendarik në 43 me një dygolësh të shkëlqyer gjatë fitores 4:3 të Al Nassr kundër Al Duhail në Ligën e Kampionëve AFC të martën. Me vetëm dy muaj të vitit të mbetur, sulmuesi portugez është në krye të top listave globale të golashënuesve për vitin 2023, por ai pretendon se nuk shqetësohet për momentet historike. Kur kjo pyetje iu drejtua Ronaldos pas ndeshjes, 38-vjeçari dha një përgjigje befasuese.

“Nuk më interesojnë shumë rekordet. Unë jam duke menduar vetëm për ta shijuar këtë moment. Skuadra jonë po përmirësohet nga një ndeshje në tjetrën. Trajneri ynë dhe stafi teknik po bëjnë një përpjekje të madhe për ta bërë Al Nassr ekipin më të fortë. Çelësi për të vazhduar arritjen e rekordeve është se po argëtohem dhe kjo është një gjë e bukur në futboll dhe sekreti i vazhdimësisë sime”.

Ai shtoi se çfarë e dallon nga bashkëmoshatarët e tij: “Jam i lumtur që shënova gola dhe performova mirë, por Cristiano është i ndryshëm nga të tjerët. Unë punoj mirë dhe në fund ajo që arrij vjen me ndihmën e kolegëve të mi dhe stafit teknik dhe më e rëndësishmja unë jam duke u argëtuar për momentin dhe duke ndihmuar Al Nasr dhe ekipin portugez”.

Ronaldo ka shijuar një fillim të shkëlqyer të sezonit, duke shënuar 20 gola në 19 ndeshje në të gjitha garat për Al Nassr. Ai aktualisht është shumë përpara golashënuesve më të mirë të Evropës në vitin 2023, Erling Haaland dhe Mauro Icardi, të cilët kanë shënuar të dy nga 34 gola secili.

Nëse përparësia e Ronaldos janë arritjet e skuadrës së tij, atëherë ai do të kërkojë të ndihmojë Al Nassrin të fitojë një herë në Ligën e Kampionëve AFC dhe një titull të parë të Ligës Pro Saudite që nga viti 2019.