Trajneri i Barcelonës, Ronald Kuman, ka qenë dukshëm i inatosur pas ndeshjes së sotme ndaj Real Madrid. Sipas tij, sfida u vendos nga vendimi i gjyqtarit, i cili nuk dha penallti për katalanasit e as VAR nuk ndërhyu që kryesori të rishikonte atë vendim.

“Nëse e gjithë bota e ka parë ndeshjen, mendoj se nëse je tifoz me Barcelonën, duhet të jesh shumë i inatosur, shumë i pakënaqur për dy vendime të gjyqtarit. Si fillim dua të them se në pjesën e parë nuk jemi paraqitur mirë, as duke mbrojtur e as duke sulmuar. Në pjesën e dytë u përmirësuam.

Unë vetëm i kërkova gjyqtarit që të sigurohej për disa vendime pasi ishte penallti. Dhe mendoj se koha shtesë ishte katër minuta. Penalltia është shumë e qartë. Edhe një herë tjetër na duhet ta pranojmë dhe të mbyllim gojën. Unë e kam thënë atë që mendoj. Përndryshe është 2-2, e qartë. Ajo tjetra është ndryshe. Duhet kërkuar më shumë kohë shtesë se ka gjëra që kanë ndodhur, por ajo është penallti e qartë dhe nuk ka VAR. Nuk e di se pse nuk ka VAR në Spanjë. E gjithë bota mendon se ajo është penallti. A e keni parë aksionin? Është penallti?

Lojtarët janë të trishtuar për këtë vendim të gjyqtarit, ka futbollistë të cilët kanë shumë vite te Barcelona dhe nuk di të them nëse ndjejnë se kjo është thjesht diçka e radhës që u ndodh”, ishin fjalët e Kuman. /vipsport/