Nisja e mirë që i ka bërë kampionatit, është diçka shumë pozitive për Vllazninë e përveç kësaj, ajo do të tentojë të njëjtën gjë edhe në Kupën e Shqipërisë.

Në mesjavë, pikërisht të mërkurën kuqeblutë do të përballen me Burrelin në sfidën e kthimit të turit të parë të këtij kompeticioni.

Kjo ndeshje do të luhet ditën e mërkurë në orën 15.30 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Do të ndodhë kështu pasi në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” kanë nisur punimet për mbjelljen e barit të ri dhe për një periudhë dy- tre javore do të jetë e pamundur të luhet aty.

Pavarësisht kësaj, objektivi i Vllaznisë për sfidën ndaj Burrelit është i qartë, për të fituar dhe për të kaluar në turin tjetër.

Për këtë ndeshje, pritet që në formacionin e Vllaznisë të ketë disa ndryshime duke u dhënë mundësinë edhe disa prej lojtarëve të stolit të luajnë. Në rast kualifikimi, ekipi shkodran do të ndeshet me fituesin e çiftit Besa- Kamza.
© shkodrasport.com