Fundjavën që lamë pas janë luajtur ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, në të cilat kanë luajtur edhe tre ekipet shkodrane. Ndër to, vetëm Vllaznia ka fituar dhe ka siguruar të drejtën për të vazhduar më tej ndërsa Juban Danja dhe AAS kanë humbur dhe janë eliminuar, përkatësisht ndaj Tirana AS dhe ndaj Kinostudios.

Ndërkohë vajzat kuqeblu kanë luajtur në Kamëz ndaj ekipit kryeqytetas të Term dhe kanë fituar ndaj tij me rezultatin 4-0. Dy prej golave të këtij takimi mbajnë firmën e kapitenes Franja, ndërsa dy të tjerët janë shënuar nga Doçi dhe Djegsina.

Ndërkohë ditën e hënë në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur shorti i ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës ku sipas verdiktit të goglave, Vllaznia do të ndeshet me Kinostudion ndërsa Apolonia me ekipin Tirana AS. Të dy këto takime do të luhen në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe ekipi shkodran është i përgatitur për ta kaluar me sukses edhe këtë kundërshtar.

Presidenti Lazer Matija e ka shprehur qartë herëpashere se objektivat e ekipit të tij janë të qarta, për të fituar çdo trofe të mundshëm të futbollit shqiptar dhe për këtë arsye, edhe për këtë sezon, jo vetëm që do synohet kalimi i Kinostudios këtë fundjavë, por edhe fitorja e ndeshjes finale javën e ardhshme.

Nëse ndodh kjo, Kupa e sivjetme do të ishte e gjashtë rradhazi që do të fitohej nga Vllaznia e femrave, duke shënuar kësisoj rezultate fantastike sepse ky ekip synon edhe titullin e gjashtë kampion rradhazi. Meritë kjo e padiskutueshme e investimit të bërë nga presidenti Matija, por edhe e punës së bërë nga trajnerët Leka e Parmeza bashkë me vajzat çdo ditë në stërvitje.
© shkodrasport.com