Tre skuadra për një vend, atë që të çon në Conference League dhe që për të treja do të ishte shpëtimi i sezonit, duke parë si rrjedhën gjërat. Teuta, aktualisht e katërta, Vllaznia një pikë pas saj dhe Laçi tre, janë në distancë parakalimi dhe me ndeshjen e mbetur të kampionatit, hipotezat e realizueshme i japin shpresë të tre ekipeve.
Megjithatë sido që të ndodhë, përplasja në stadiumin e Partizanit mes të kuqve dhe Teutës vlen pothuajse gjithçka, që do të përcaktojë edhe ndeshjet e tjera. Me 48-pikë, “Djemtë e Detit” nuk mund të pajtohen me një pikë ndaj kryeqytetasve, sepse rrezikojnë të parakalohen nga Vllaznia, që në javën e fundit të kampionatit shkon drejt Ballshit për të luajtur ndaj Bylisit, me këtë të fundit që në rast të një fitoreje të Erzenit ndaj Tiranës, mund t’i lejojë vetes një “game-over”.
Fitorja në Ballsh do të ishte diçka tepër e madhe për shkodranët e Goçe Sedloskit, por gjithnjë edhe me shpresën që Partizani do të jetë duke marrë tre pikët përballë Teutës. Aty ndërkohë, trajneri shkodran Edi Martini dhe futbollistët e tij do të luajnë një finale të vërtetë për një vend në Europë.
Llogjikisht, kush i ka gjërat më të thjeshta? Të paktën, në llogari i ka Laçi. Kurbinasit nëse fitojnë ndeshjen ndaj Kastriotit në Laç, ngjiten në kuotën e 48-pikëve dhe pastaj në varësi të rezultatit të Teutës dhe Vllazninë, do të shpresojnë të kapin Europën.
Maringlen ZHIVANI