Starti negativ që Vllaznia i bëri kampionatit të ri, nuk është pritur mirë në ambjentin sportiv shkodran. Të gjithë janë të mendimit se llogaritë nuk ishin bërë ashtu siç duhet për ndeshjen me Skënderbeun. Madje në këtë përfundim kanë dalë edhe vetë futbollistët dhe stafi drejtues i kësaj skuadre. Në një analizë të shkurtër që skuadra ka bërë pasditen e së hënës, në prani edhe të drejtorit sportiv Grima, konkluzionet e nxjerra kanë qenë kryesisht ato të nënvlerësimit të kundërshtarit dhe marrjes së lehtë të ndeshjes. Secili prej pjestarëve të skuadrës ka marrë përgjegjësitë e tij për atë humbje. Shkaku kryesor që çoi në humbjen duket se ka qenë euforia që kishte pushtuar ekipin. Pa nisur ende kampionati, u fol për titull kampion dhe këtë gjë u kërkoi edhe presidenti Luka në takimin me ta. Madje, këto pretendime u pranuan edhe nga stafi drejtues dhe futbollistët, të cilët ndoshta nuk e kishin menduar mirë këtë gjë, duke harruar se edhe skuadrat e tjera kanë shpenzuar dhe investuar shumë më tepër se Vllaznia për të ndërtuar një ekip pretendent. Ajo që ka rëndësi është se ndeshja me Skënderbeun tashmë po mendohet të harrohet në kampin shkodran. Madje në kampin shkodran kërkojnë ta konsiderojnë si “ëndërra e keqe e një nate vere”. Por shumë interesant është edhe një justifikim që është dëgjuar këto ditë nga pjestarë të Vllaznisë. “Edhe Reali, Milani dhe ndonjë skuadër tjetër e madhe, i kanë nisur keq kampionatet e tyre”-janë shprehur ata. Në fakt krahasime mund të bësh por edhe jo sepse është krejtësisht tjetër gjë. E rëndësishme është që futbollistët dhe stafi drejtues besojnë tek kthesa. Edhe trajneri Duro është shprehur se nisje të tilla të kampionatit janë të pranueshme aq më tepër për skuadra që janë ndërtuar thuajse nga fillimi. Vllaznisë kështu në fakt i ndodhi. Në rradhët e saj kanë ardhur plot 11 futbollistë të rinj të cilët duan kohën e mjaftueshme për të arritur aty ku duhet. ajo që vlen të theksohet është se tek të gjithë pjestarët e kësaj skuadre ka besim.
Kalendari. Konsiderohet tepër i favorshëm për Vllazninë në javët e ardhshme. Pas transfertës në Kukës, ajo do ketë dy ndeshje brenda në “Loro Boriçi”. Fillimisht me Luftëtarin dhe pastaj me Apoloninë. Çka do të thotë se e rëndësishme është marrja e tre pikëve këtë të shtunë në mënyrë që pas javës së katërt të kampionatit pastaj, shkodranët me 9 pikë të grumbulluara mund të jenë ndër ekipet e kreut të renditjes. Pikërisht për këtë arsye të këtij kalendari të favorshëm, fitorja në Kukës këtë javë konsiderohet shumë e rëndësishme. Përqendrimi duket maksimal për të bërë një kthesë të shumëpritur sepse në rast të një humbje tjetër, pastaj mbi skuadrën mund të fillojë të ketë pasoja. Megjithatë këtë gjë askush nuk e mendon në kampin shkodran sepse pjestarët e tij besojnë se është krijuar një skuadër për të pretenduar në sezonin e ri.
www.shkodrasport.com