Vllaznia do t’i japë fund përgatitjeve një-javore në tokën e Pogradecit ditën e dielë, teksa pas ndeshjes me Skënderbeun do të rikthehet në Shkodër, për të nisur përgatitjet në kuadër të ndeshjes hapëse të kampionatit me Erzenin, që do të luhet me 20-gusht. Shkodranët do të zhvillojnë dy miqësore gjatë këtyre ditëve, me Dinamon ditën e sotme dhe me Skënderbeun të dielën.

Gjatë këtyre përgatitjeve, Josa ka provuar dhe do të provojë skema të ndryshme dhe spostime futbollistësh, por u vu re se ekipi ka ende nevojë për përforcime dhe nuk është gati aty ku pretendohet nga stafi. Ndërkohë, burime të “Shkodra Sport” tregojnë se, klubi po shqyrton mundësitë për të gjetur sulmues deri në fund të merkatos.

Në Pogradec, Josa shpreson që të kristalizojë edhe formacionin para nisjes së kampionatit, por deri diku është ende herët të thuhet se si do të luajë Vllaznia e këtij sezoni. Këto ditë do t’i shërbejnë trajnerit Josa për të kristalizuar titullarët, duke nisur edhe nga dy miqësoret me Dinamon ditën e sotme dhe të dielën me Skënderbeun.

Gjithsesi, trajneri Josa do të bazohet tek ata futbollistë që ka aktivizuar më tepër në testet dhe ndeshjet që ekipi ka zhvilluar që nga 15-qershori. Kalendari u ka rezervuar shkodranëve një short disi të lehtë, pasi përballë do të kenë të sapongjiturit e Erzenit, por drejtuesit duan që deri në startin e sezonit, ta kenë grupin “top” në të gjitha aspektet.
Maringlen ZHIVANI