Java e 23-të e “Abissnet Superiore“-s është mbyllur me dy rezultate befasuese. Tirana është mposhtur në shtëpi me shifrat 0-2 nga Teuta, e cila nën drejtimin e Edi Martinit konfirmohet edhe një herë si “macja e zezë” e bardhebluve.

Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.

Shehi (Tirana): “Diferencat janë të vogla. Për skuadrën tonë, sigurisht që vazhdimësia e një viti më parë nuk mund të jetë, sepse kemi ndryshime lojtarësh. Por nuk jemi vetëm ne, janë të gjitha skuadrat që nuk kanë vazhdimësi. Sot mendoj që Teuta na fitoi top të parë, top të dytë, por edhe në tranzicion ishim gabim.

Ne kemi bërë gabime sot. Kur na ka ikur Hoxhallari, na ka pështjelluar shumë. Po të shohësh golin e dytë, vë duart në kokë se si mund të marrim një gol të tillë.

Duhet të luanim në krahë, aty ku ishim superior. Ne sot duhet ta kishim zgjidhur më mirë dhe nuk duhet të mendojmë kurrë për Kastriotin apo për derbin. Ramë në presionin e agresivitetit të kundërshtarit. Nuk mendoj që e kishim mendjen te derbi, por duhet të shtojmë një marsh tjetër”.