Pavarësisht rezultateve pozitive që sportistët shkodranë kanë arritur gjatë vitit 2019, sërish ato vazhdojnë të stërviten e të garojnë mes shumë vështirësive e problemesh.
Sporte të caktuara nuk kanë ende palestra stërvitje, të tjerë nuk kanë mbështetjen e duhur financiare e kjo situatë e krijuar sjell çdo ditë largime sportistësh.
Ka prej atyre që lënë sportin dhe Shqipërinë duke u larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë, ka të tjerë që detyrohen të mos merren me sport por të gjejnë një punë tjetër sepse me të ardhurat që përfiton aty, nuk ia del të mbajë familjen.
Rasti më i freskët është ai i boksierit Bekim Vjerdha. Në ditët e fundit të vitit të kaluar, ai ka njoftuar trajnerin Gjoni dhe gjithë stafin e tij se do ta lërë sportin ngaqë nuk ka mundësi të vazhdojë më tej.
“Shkodra Sport” ka kontaktuar me këtë sportist për të mësuar më shumë në lidhje me shkaqet që e detyruan të merrte këtë vendim dhe Vjerdha është përgjigjur: “Po, është e vërtetë që jam larguar nga Vllaznia. Nuk e di nëse do ta vazhdoj më sportin me ndonjë ekip tjetër apo do të merrem me ndonjë profesion tjetër.
Për momentin jam pushim sepse ende nuk kam vendosur se çfarë do të bëj. E sigurtë është që nuk mund të vazhdoja më tek Vllaznia. Unë jam familjar dhe të ardhurat që merrja nga sporti, nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar jetesën time. Për më tepër që nga 12 muajt e vitit, paguheshim 10 muaj, madje edhe ato nuk merreshin rregullisht.Në këtë rrethana, nuk kisha mundësi të vazhdojë më”.
Largimi i Bekim Vjerdhës nga sporti është padyshim një humbje e madhe për boksin shkodran dhe atë shqiptar sepse sidomos këto tre vitet e fundit ka qenë një ndër boksierët më të mirë të vendit. Kulmin e karrierës së tij e ka patur në vitin 2017 kur u shpall kampion kombëtar në peshën 81 kg dhe ajo çka është më e rëndësishmja, fiton “Gongun e Artë” në Shkup të Maqedonisë, duke qenë i dyti shqiptar pas Kristian Demajt që e fitonte këtë trofe të rëndësishëm.
Dhe ky sportist cilesor detyrohet te braktise pasionin e tij te madh sepse ajo çfare perfiton prej tij, padyshim qe nuk ia ploteson kerkesat personale dhe jo me ato familjare. Por ne fakt, ky eshte realiteti i sportit shqiptar ne vitin 2020.
© shkodrasport.com