Vit i ri, por histori e vjetër. Kylian Mbappe është shndërruar sërish në emrin e dëshiruar nga të gjithë për ta pasur në skuadër.

Francezi qëndron ndër të paktët lojtarë që ka pasur kaq shumë pushtet në tregun e merkatos, e ndikuar edhe nga kontrata drejt skadencës me PSG-në. Numri 7 duhet të zgjidh çështjen me gjigantin francez, që duket se do humbas 25-vjeçarin me parametra zero.

Lajmi i bujshëm mbërrin nga Spanja, aty ku Real Madrid e kërkon prej kohësh. Golashënuesi më i mirë i Botërorit të fundit, mësohet se ka rezervuar një banesë në Madrid.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, Mbappe nuk e ka blerë apo marrë me qira, por për momentin e ka prenotuar, duke përgatitur në një farë mënyre terrenin para firmës me Real Madrid.

Pritet një kontakt i ri këtë javë, ndoshta ai vendimtar, për të kuptuar nëse Mbappé me të vërtetë synon të transferohet në Spanjë verën e ardhshme.

25-vjeçari pritet të bashkohet me dy nga futbollistët e tjerë më të fortë në botë, Bellingham dhe Vinicius Junior: Florentino Perez nuk do të presë në pafund, sepse për një klub si Real Madridi, planifikimi dhe përfshirja e yjeve në skuadër është thelbësor.