Te Zvicra kanë filluar të ndjejnë panikun e qëndrimit jashtë Euro 20290 dhe Federata po bën të pamundurën tani të pajtojë Xherdan Shaqirin me trajnerin Vladimir Petkoviç. Mesfushori është tërhequr përkohësisht nga kombëtarja zvicerane duke menduar për karrierën e tij në klub, pasi nuk ndjehet i vlerësuar sa duhet.

Shaqirit nuk i ka pëlqyer fakti se nuk është vlerësuar me shiritin e kapitenit duke qenë zgjedhje e dytë pas Xhakës, edhe pse kanë qenë golat e tij ata që kanë shtyrë shpesh Zvicrën drejt turneve madhorë, ndërsa ka mbajtur mbi vete edhe barrën e kritikave për rezultatet zhgënjyese. Tërheqja padyshim ka ndikuar paraqitjet e Zvicrës e cila me barazimin ndaj Irlandës ka komplikuar shanset për të shkuar në mënyrë direkte në Europian.

Për këtë arsye, është planifikuar që në javën e ardhshme në Mançester, ku jeton futbollisti, të organizohet një takim mes tij, drejtorit të ekipeve kombëtare në Zvicër, Pierluixhi Tami, dhe trajnerit Petkoviç.

“Sigurisht që Petkoviç do të jetë pjesë e bisedave”, konfirmoi sot Tami, duke bërë të qartë se edhe trajneri i cili njihet si person që nuk udhëton asnjëherë për të ndjekur lojtarët, do të detyrohet të shkojë në Angli për të diskutuar me futbollistin.

Në Zvicër janë të ndërgjegjshëm se Shaqiri dhe Petkoviç nuk kanë krijuar kurrë një lidhje të ngushët gjatë këtyre viteve dhe futbollisti e ndjen shumë një gjë të tillë, ndaj kishte marrë vendimin për të refuzuar ftesën nga ekipi kombëtar.

Udhëtimi i trajnerit duket pikërisht si “sakrifica” e këtij të fundit për të kthyer në ekip futbollistin e Liverpulit, edhe pse në Zvicër janë të bindur se në këtë mbledhje ai do të kërkojë medoemos që të njihet si lider në ekip dhe t’i kalojnë atij shiritin e kapitenit. /vipsport/