Laçi ka mposhtur Partizanin në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë në “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në “Arena Egnatia” përfundoi në favorin e kurbinasve me rezultatin 1-2.
Takimi nisi me gol që në minutën e 8-të kur Bibo shënon një gol spektakolar duke mposhtur portierin Qirko. Përpjekjet e laçjanëve ishin të shpeshta edhe për të dytin, duke tentuar me Nergutin dhe Traoren. Megjithatë, gardiani i “Demave” ishte thuajse i mrekullueshëm për të ndalur këto goditje.
Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, Partizani e mbyll me një lojtar më pak pas daljes me kartonin e kuq të Albion Markut. Një ndërhyrje e rrezikshme e cila u rishikua me VAR dhe për arbitrin Bylykbashki nuk pati më dyshime për korrigjimin e kartonit.
Në pjesën e dytë, Laçi provon të rrezikojë sërish, duke përfituar nga epërsia numerike dhe goli i avantazhit. Traore i shkon shumë pranë golit të dytë në minutën e 54-të, por Qirko tregohet vigjilent duke neutralizuar goditjen.
Goli i sigurisë për Laçin vjen në minutën e 75-të falë të njëjtit autor, Bibo. Sakaq, Partizani ia del të ngushëllohet me golin e Aliut në shtesën e katërt, finalizim që shërben vetëm për statistikë.
Me këtë rezultat, Laçi merr tri pikët e para në kampionat, duke shkuar në kuotën e 4 të tillave, ndërsa “të kuqtë” e drejtuar nga Florin Bratu largohen pa pikë nga Rrogozhina.
Partizani 1-2 Laçi
( Aliu 90’4/ Bibo 7′, 75′)


