Qazim Laçi është duke e kaluar karantinën në Francë, ndërsa lojtari ka folur sot në një prononcim që ka dhënë për “Sportmagazine” në “OraNews”. Laçi, ndër të tjera tregon edhe dëshirën dhe synimet që ka për të ardhmen e afërt. Nga Korsika ku edhe ndodhet dibrani ka pohuar:

“Situata nuk është edhe aq keq, ndonese edhe këtu mbrohemi. Dalim blejmë disa gjëra që na duhen për shtëpi, por bëjmë disa vrapime. Jemi të kufizuar për shkak të situatës. Bëj stërvitje online. Trajneri ynë dhe përgatitësi atletik na ka dhënë plane enkas. Kemi folur me trajnerin dhe me atë të përgatitjes fizike për të vijuar sinkron planin. Franca ka një kampionat të fortë, nga ana taktike duhet që të përqendrohesh dhe duhet që të jesh shumë i fortë”, – tha Laçi fillimisht.

E ardhmja

Qazim Laçi thekson se në klub e duan dhe te Ajaçio mund të rinovojë. “Për momentin dhe situatën në të cilën ndodhemi jemi në bisedime sepse kampionati mund të vazhdojë, kështu thuhet, ashtu sikurse ka zëra që edhe mund të pezullohet. Bisedimet me klubin kanë përparuar dhe jemi në rrugë të mbarë. Por, të shohhim, në radhë të parë të kalojmë këtë situatë”, – tha Laçi.

Eksperienca

Qazim Laçi ka luajtur me Olimpiakosin në Greqi, por edhe në Qipro e tashmë në Francë. Por, Laçin e pëlqen edhe trajneri Reja i përfaqësueses sonë. “Eh, tashmë kam eksperiencë pak më shumë, por natyrisht që më kënaq edhe ftesa dhe fakti që po bind trajnerin Reja dhe jam bërë pjesë e Kombëtares së vendit tim.

I jam mirënjohës dhe dua të falwnderoj zotin Reja. Çdo njeri ndihet i kënaqur kur vesh fanelën e vendit të tij. Janë anulluar të gjitha ndeshjet, nuk dihet se çfarë do bëhet. Të kemi shëndetin dhe shpresoj që të grumbullohem sërish nga z. Reja. Sa kemi mundësi të rrijmë në shtëpi, të ruhemi dhe të respektojmë rregullat”.

Kombëtarja

“Kam miq e shok sepse kam qenë kapiten te Shpresa U-21 që janë grumbulluar nga Reja. Strakosha, Hysaj, Bare e shumë të tjerë. Ishim një grup shumë interesant dhe do të ketë shumë shpresë për të krijuar një grup shumë të mirë”.

Zmijani

Një nga shkodranët e spikatur dhe nga lojtarët më të dalluar të linjës së djathtë që ka pasur Kombëtarja jonë dhe Vllaznia është Hysen Zmijani që ka lujtur te Ajacio. Qazim Laçi thotë se shkodrani ka lënë emër të mirë dhe e kujtojnë edhe sot…“Kam dëgjuar që ka luajtur Hysen Zmijani. Më kanë folur këtu që ka qenë një lojtar i madh”.

Synimet

“Kam shumë synime, në këtë periudhë mendojmë shumë gjera. Tashmë nuk mendoj për të ardhmen, më shumë e kam mendjen te shëndeti, sepse duke pasur shëndetin dhe duke bërë durim shpresoj që t’ia dalim”,-tha Qazim Laçi në fund të prononcimit të tij.