Përfaqësuesja e Portugalisë është zgjuar sot me një lajm negativ, pasi ka humbur një nga elementët e rëndësishëm të skuadrës së Fernando Santos. Federata bëri të ditur se mbrojtësi i Portugalisë, Zhoao Kanselo, kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 dhe kësisoj do të humbiste pjesëmarrjen në aktivitet.

“Autoritetet shëndetësore hungareze janë informuar menjëherë dhe lojtari i cili është në gjendje të mirë shëndetësore, është vendosur në izolim.

Rezultatet e testit të kryer u konfirmuan nga një test i dytë që u krye të shtunën dhe u konfirmua të dielën në mëngjes. Në bashkërendim me protokollin e vendosur nga UEFA, të gjithë lojtarët i janë nënshtruar testimeve të shtunën dhe me përjashtim të Kanselo, pjesa tjetër ka rezultuar negativ.

Autoritetet shëndetësore hungareze janë në dijeni të respektimit të procedurave të mbrojtjes, plotësisht të respektuara sipas protokollit UEFA, në një grup u cili ka edhe një përqindje të lartë personash të vaksinuar si dhe ka autorizuar ekipin që të respektojë planin e ndërtuar për pjesëmarrjen në Europian pa asnjë ndryshim”, shpjegoi Federata Portugeze, duke bërë të qartë se për ekipin nuk do të kishte izolim të plotë që mund të rrezikonte ndeshjen ndaj Hungarisë.

Ndërkohë, Kanselo është nxjerrë jashtë listës dhe në vend të tij është grumbulluar Diogo Dalot, lojtari i Mançester Junajtid i cili në vitin e fundit luajti në huazim te Milani. /vipsport/