Pavarësisht dëshirës për të qenë të pranishëm në “Air Albania” pasditen e së hënës për të mbështetur Vllazninë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, tifozët shkodranë nuk do të kenë mundësinë ta mbështesin skuadrën e tyre të zemrës.

Kjo ngaqë Komiteti i Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë në mbledhjen e tij të sotme ka vendosur që stadiumet të hapen në 30 për qind të kapaciteve të tyre, vetëm më 1 korrik. Kjo do të thotë se finalja Skënderbeu- Vllaznia pasditen e së hënës do të luhet me një numër të reduktuar tifozësh.

Diçka jo e mirë kjo, por kësisoj edhe ky sezon po përfundon me stadiumet e mbyllura. Kjo nuk do të thotë se Vllaznia do të penalizohet në objektivin e saj për ta fituar këtë trofe. Djemtë e drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç, pas paraqitjes së shkëlqyer në kampionat ku u renditën të dytët vetëm me golaverazh më të dobët se Teuta, do të kërkojnë medoemos ta mbyllin sezonin me një trofe.

Kjo nuk do të thotë se përballja me korçarët është e lehtë, por motivi i kuqebluve duket më i madh. Futbollistë e drejtues janë të bindur se finalja do të flasë në favorin e tyre, ndonëse do të kishin dashur që të kishin të pranishëm në shkallët e stadiumit edhe një numër tifozësh.

Megjithatë e sigurtë është që në ndeshjet e Conferenca League, më 8 ose 15 korrik, në stadiumin “Loro Boriçi” do të kenë mundësinë të ulen rreth 5 mijë tifozë./SHKODRA-SPORT.COM/