Ilirjan Haxhaja ka qene mbremjen e sotme i ftuar ne emisionin “Sport Arena” ne TV Rozafa ku ka folur edhe njehere tjeter per situaten e krijuar ne vend pas perhapjes se se covid-19. Pjestari i stafit mjekesor te Vllaznise duke shpjeguar gjendjen, ka leshuar edhe disa porosi per sportistet:

“Në javën e kaluar, pasi ua shpjeguam bashkë me dy kolegët e mi Redi Mesi dhe Ani Ferhati se çfarë ishte koronavirusi, lojtarët e Vllaznisë kanë qenë shumë të interesuar për të bërë matjet e nevojshme nëse mund të kishin ndonjë problem. Shtubina ishte i pari që më telefonoi dhe më kërkoi të kontrollohej.

Në ditën e dytë filloi të kishte pak frikë dhe stres te lojtarët. Sa i përket vendimit që është marrë për pezullimin e aktiviteteve, tashmë më duket jo normale që një ekip të vazhdojë stërvitjen në këtë moment, siç kam dëgjuar për rastin e Bylisit.

Unë nuk ua kam rekomanduar lojtarëve të Vllaznisë as stërvitjen individuale në ambjente sportive në qytet. Nuk është e lejueshme, përderisa Ministria e Shëndetësisë thotë që qëndrojmë në shtëpi. Kam parë edhe Hygor që ka dalë në vrapime të lehta rrugëve të Shkodrës. Duket sikur futbollistët e kanë marrë pak lehtë situatën.

Ne si klub kemi ndërgjegjësuar lojtarët. Ky virus nuk ka trima, duhet menduar për shëndetin. Nuk duhet të harrojmë se ka pasur raste në ekipe si Fiorentina dhe Juventusi me koronavirus. Në momentin që bëjnë pushim ekipet italiane, sigurisht që lojtarët e klubeve shqiptare nuk duhen të bëjnë stërvitje aspak, por të zbatojnë udhëzimet.

Në matjet që u bënë në Itali, janë nëvlerësuar rastet me temperaturë 36 e gjysmë. Vetëm 37 e sipër dhe ata që kanë pasur një dhimbje të këmbëve janë marrë seriozisht. Pacientët e parë janë ata që kanë ardhur me dhimbje të shpatullave. Bumi i parë në Itali ishte personi zero, që ka infektuar mbi 50 vetë”, ka thënë Haxhaja.