Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të javës së 26-të të Superiores, Vllaznia vjen me lajme pozitive për sfidën e shumëpritur ndaj Tiranës. Skuadra shkodrane do ta ketë të plotë grupin e futbollistëve për këtë përballje delikate, një zhvillim që rrit ndjeshëm optimizmin në kampin kuqeblu për një reagim të menjëhershëm në kampionat.
Pas mungesave të rëndësishme në transfertën ndaj Bylisit, ku Vllaznia u mposht me shifrat 2-1, rikthehen nga pezullimi emra me peshë si Bekim Balaj, Erdenis Gurishta dhe Lirim Kastrati. Mungesa e tyre në atë sfidë u ndje qartazi në lojën dhe balancat e ekipit, duke treguar rëndësinë që kanë në formacionin titullar.
Tashmë, në “klasiken” e futbollit shqiptar, trajneri Edi Martini do të ketë në dispozicion të gjithë organikën. Nuk ka as lojtarë të dëmtuar dhe as të pezulluar, çka e vendos stafin teknik përballë zgjedhjeve të shumta dhe rrit konkurrencën e brendshme në skuadër në një moment kyç të sezonit.
Prania e grupit të plotë i jep më shumë alternativa taktike Vllaznisë, sidomos në repartin ofensiv, aty ku rikthimi i Balajt pritet të shtojë forcën goditëse dhe eksperiencën në ndeshje të mëdha. Po ashtu, kthimi i Gurishtës dhe Kastratit garanton më shumë stabilitet në fazën mbrojtëse dhe në organizimin e lojës.
Me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitoret dhe për të blinduar kreun e renditjes, Vllaznia e sheh përballjen me Tiranën si një provë force dhe karakteri. Në një sfidë që pritet të jetë e luftuar deri në fund, kuqeblutë synojnë të japin përgjigjen e duhur dhe të hedhin një hap të rëndësishëm drejt realizimit të objektivave sezonalë.


