Ditën e nesërme, Tërbuni do të përballet me Besëlidhjen dhe të dy ekipet kanë synim të fitojnë.Trajneri i lezhjanëve, Alban Bruka, në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur në prag të ndeshjes së kësaj jave të Kategorisë së Parë që ata do të kenë.

Tekniku ka folur në lidhje me formën e mirë që lezhjanët po kalojnë aktualisht, dhe ka theksuar se ndeshja e nesërme është si një ndeshje komoditeti për ekipin e tij.

“Me Tërbunin është një ndeshje komoditeti për ne. Shkojmë në Pukë gjithmonë për të marrë një rezultat pozitiv. Nga ana psikologjike, ekipi është mirë dhe besoj se në ndeshjen e nesërme, besoj shumë se do jetë një ndeshje e bukur.

Mungesa e Danajt na penalizon pak, por kemi punuar gjatë javës për zëvëndësimin e tij. Jam shumë i kënaqur për çunat, sepse ka qenë një fazë e dytë ndryshe. Janë fituar shumë lojtar të rinj, që po bëjnë mirë nga ndeshja në ndeshje.

Edhe pse unë bashkë me presidentin e Besëlidhjes, bëmë një rotacion jemi shumë të kënaqur në aspektin e rifreskimit total të skuadrës. Po na japin shumë besim lojtarët e rinj

Besëlidhja ka qenë dhe mbetet ndër ekipet që do jetë pretendente në të ardhmen dhe do japim maksimumin edhe këtë sezon, që ne të futemi në play-off, përderisa jemi vetëm tre pikë larg vendit të gjashtë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka.
Maringlen ZHIVANI