Kategoria e Parë vijon garimin dhe nesër do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 26-të. Kështu, Tërbuni do të përballet me Besëlidhjen dhe të dy ekipet kanë synim të fitojnë.

Në fakt, “derbi i veriut” është një nga ndeshjet mjaft interesante të ditës së nesërme, që nisin prej orës 15:00. Pukjanët me një fitore mund të mbajnë larg një kundërshtar për mesin e renditjes, ndërsa lezhjanët me një fitore mund të futen në garë seriozisht për gjashtë vendet e para.

Ekipi pukjan që drejtohet nga një trajner shkodran, siç është Elvin Beqiri, ka në përbërjen e tij katër shkodranë, pikërisht Ardit Hoxhajn, Samet Ruqin, Serdar Zaganin dhe Alsid Tafilin.

Ndërkohë, nga ana tjetër, lezhjanët e drejtuar Alban Bruka, kanë në ekipin e tyre vetëm një shkodran, mbrojtësin David Kovaçi.

Ekipi i Beqirit renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit me 38 pikë, ndërkohë që lezhjanët renditen në vendin e nëntë me 35 pikë, tre më pak se pukjanët. Tërbuni-Besëlidhja do të luhet ditën e nesërme, në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, duke nisur nga ora 15:00.
Maringlen ZHIVANI