Shpëtim Gjika reagon pas deklaratës së ish-gjyqtarit Lorenc Jemini se ky i fundit kishte gabuar në ndeshjen e 21 shkurtit 2011 mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, ku kishte akorduar një penallti të paqenë në favor të korçarëve.

Dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ishpresidenti dhe njëherësh ishkryebashkiaku i Vlorës i rikthehet atij sezoni. Ai fton protagonistët e asaj kohe të rrëfejnë mëkatet tashmë që kanë kaluar disa vite. Gjika e cilëson si kriminale strategjinë për të rrëzuar Flamurtarin dhe për t’i dhënë titullin Skënderbeut. Ai bën edhe një deklaratë pikante për ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, që njihet si mbështetës i Skënderbeut.

Zoti Gjika, gjyqtari Lorenc Jemini ka pranuar gabimin ndaj Flamurtarit në vitin 2011, teksa është shprehur se penalltia e fituar nga Soza ishte simulim. Çfarë komenti keni për atë që ndodhi 9 vite më parë?

Më vjen mirë që më në fund, miku im Jemini, pranon që ka gabuar. Gjithsesi, jo për konformizëm dhe as për antagonizëm, do të thosha që gabimi i Lencit ishte vetëm një pikë uji në oqeanin e madh të gabimeve apo më mirë të them i strategjisë gati kriminale kundër Flamurtarit nga rivalët dhe Federata Shqiptare e Futbollit. E çmoj “mea culpa”-n e Jeminit dhe ftoj edhe protagonistë të tjerë të asaj kohe të rrëfejnë mëkatet e tyre.

OK, por pavarësisht se Jemini e pranoi gabimin tha se nuk ndien pendesë për atë që është bërë, pasi ishte një aksion i vështirë dhe kishte nevojë për VAR…?

Procesi i katarsisit është i gjatë, zgjati gati 10 vjet që më në fund Lenci pranon që ka gabuar. 10-vjeçarin tjetër do të vijë dhe pendesa. Jam i sigurt se miku im Jemini është në drejtimin e duhur. Pendesa vjen pasi pranon që ke gabuar.

Çfarë mbani mend nga sezoni 2010-2011 kur Flamurtari ishte pranë titullit, por në fund e mori Skënderbeu?

Ishte një sezon i bukur. Kishim një ekip dhe staf nga më të mirët, ashtu sikurse edhe rivaliteti ishte i madh. Gara u prish ndeshjet e fundit, kur u krijua aleanca kundër Flamurtarit, me ekipe të tjera satelit të konjukturave politike dhe pro interesave sportive dhe financiare të rivalit tonë. Për të folur me detaje për ngjarje dhe historitë e kësaj aleance, duhet jo një natë e gjatë dimri, por larg qoftë edhe një rikarantinim i dytë dhe nuk mjafton koha për të evidentuar dhe treguar të bërat dhe të zhbërat.

Ndiheni të vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat në atë sezon?

Më vjen keq për tifozërinë vlonjate dhe për djemtë e stafin, të cilët më shumë sesa të vjedhur, janë ndierë të dhunuar e të grabitur ditën për diell. Sigurisht që edhe për autorët e kësaj vjedhjeje do të vijë koha e rrëfimit, pranimit dhe pendesës. Nuk besoj se do jetojnë gjithë kohën me mëkatin.

Në atë kohë ju u akuzuat se po bënit fushatë me Flamurtarin. Si është e vërteta?

Unë kam qenë në mbështetje të ekipit qysh ditën e parë të punës sime në bashki dhe para se të zhvillohej ky kampionat, kisha bërë dy fushata të tjera vendore e po aq fushata politike parlamentare. Nuk kam bërë fushatë, por kam ushtruar detyrimet dhe përgjegjësitë e mia në detyrë e sipër. Madje, duke qenë edhe tifoz, angazhimi im me ekipin ka cenuar angazhimin tim me kohë të plotë në fushatën e atij viti.

Gjithsesi, do t’ju lutesha që këtë pyetje, pra përfshirjen e politikës me futbollin, t’ia drejtonit zotit Ridvan Bode, asokohe ministër dhe sponsor i rivalit dhe aleancës kundër Flamurtarit. Tani pasi kanë kaluar 10 vjet, edhe për faktin që zoti Bode me sa di, ndoshta jam gabim, është bërë me krahun tim politik, besoj se, në mos është penduar, të paktën mund të rrëfehet.

Shpesh administratori Sinan Idrizi ju ka atakuar për gjyqet e humbura në periudhën kur drejtonit klubin. Gjithashtu, kohët e fundit po flitet për një çështje që lidhet mes tij dhe një biznesmeni turk. Keni një koment?

Sa i përket çështjes së përfolur së fundi, rezervohem të prononcohem apo të shfaq ndonjë koment. Për sa kohë, sipas Idrizit, kjo çështje është referuar në organet gjyqësore, fjalën e ka vetëm drejtësia. Është e tepërt dhe jokorrekte të flas tani pa u gjykuar çështja. Për sa më takon personalisht, uroj që zoti Idrizi të dalë qelibar.