Nëse Seria A do të rifillojë, nuk do të ketë asnjë përjashtim nga rregulli i karantinimit të atyre që rezultonin pozitiv dhe ditëve që duhej të kalonin të izoluar nga pjesa tjetër edhe nëse tamponët do ta shfaqnin negativ brenda një periudhe më të shkurtër.

Ky ka qenë përfundimi i mbledhjes së sotme të Federatës Italiane me Komitetin Tekniko-Shkencor të ndërtuar nga qeveria italiane për të diskutuar fazat e rihapjes në këtë vend ku bën pjesë sigurisht edhe futbolli.

Klubet italiane shpresonin që për futbollin të bëhej ndonjë lëshim i vogël, pasi izolimi për 14 ditë do të ndikonte shumë rëndë te një ekip nëse do të kishte shpërndarje masive siç ndodhi në skuadra si Fiorentina e Sampdoria. Por në mbledhjen e sotme, Komiteti bëri të qartë se nuk do të ndryshonin një rregull të qartë për të evituar përhapjen e pandemisë.

Në mbledhje nuk e kanë cilësuar futbollin një përjashtim nga rregulli e si rrjedhojë, kanë bërë të qartë se në protokollin e sigurisë për rifillimin e ndeshjeve, të gjithë duhet ta kishin këtë koncept të qartë.

Kësisoj, klubet dhe lojtarët duhet të jenë vetë të kujdesshëm dhe të mos krijojnë probleme, pasi në të kundërt do të penalizoheshin rëndë nga ky rregull në momentin kur do të fillonin ndeshjet. /vipsport.al/