Vazhdojnë polemikat pa fund në Itali pas deklaratave të ish-futbollistit Masimo Brambati se Thomas Strakosha nuk del në stërvitje se ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Vëllai i tij, Dimitri, ka qenë i pari që ka përgënjeshtruar gjithçka, ndërsa reagimin më të fortë e ka bërë mjeku Ivo Pulçini, përgjegjësi sanitar i klubit të Lacios.

“Strakosha është në gjendje perfekte, si të gjithë të tjerët. A ka COVID-19? Nuk më duhet që të betohem për këtë, thjesht dërgoni ndonjë që të bëjë kontroll surprizë kurdoherë. Jap menjëherë dorëheqjen nëse ka ndonjë gjë, “fake neës” nuk janë pjesë e personave seriozë.

Na dërgoni ndonjë nga Federata Italiane. Një person që thotë gjëra të tilla pa i dokumentuar dhe duke i shpikur është absurd”, deklaroi Pulçini në një radio italiane shumë i nervozuar me këto lajme që kishin qarkulluar.

Reagimi i ashpër vjen edhe për faktin se Lacio ka qenë gjithmonë skuadra e cila ka kërkuar me ngulm që të rifillohet kampionati duke theksuar se për lojtarët dhe stafet e skuadrave kishte garanci absolute në ambientet e klubeve pasi do të ishin gjithmonë nën kontroll. /vipsport/