Nje lajm i mire per stafin teknik te Vllaznise ne pragndeshjen me Flamurtarin. Një nga lojtarët që ishte në dyshim për të luajtur apo jo si rrjedhojë e një dëmtimi që ka patur, pikërisht mesfushori Behar Ramadani, duket se e ka lënë pas këtë problem dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur.

Kjo gjë padyshim që ka ngrohur trajnerin Jonuz sepse edhe në mungesë të Krymit të skualifikuar me kartona, krijohej një problem jo i vogël në qendrën e mesfushës.

Megjithatë, Ramadani pritet ta nisë nga minuta e parë këtë ndeshje dhe bashkë me të do të formojnë treshen e mesfushës edhe Gurishta e Bardulla.

Ky i fundit po kalon një moment të mirë dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjet miqësore që ekipi ka zhvilluar ditët e fundit, madje në miqësoren me Pogradecin shënoi dhe golin e fitores për Vllazninë.

Objektivi i kuqebluve për takimin e sotëm do të jetë padyshim fitorja, pavarësisht se kush do të luajë në formacion në këtë takim që do të startojë në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
© shkodrasport.com