✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Lajme të mira për Vllazninë. Njëri nga lojtarët më të rëndësishëm të saj, pikërisht Sherif Kallaku i është bashkuar sot skuadrës në stërvitje. Gjendja e tij shëndetësore duket e mirë dhe kjo ka gëzuar së tepërmi trajnerin Edi Martini që beson shumë në aftësitë e këtij lojtari.

Siç dihet, Kallaku u largua i dëmtuar nga fusha e lojës në ndeshjen e kaluar ndaj Dinamos dhe u duk një dëmtim serioz dhe ekzaminimet e bëra treguan një tërheqje muskulare. Si rrjedhojë mjekët ishin të mendimit se fantazisti do të ishte i detyruar t’i mungonte ekipit nga 6 deri në 8 javë.

Diçka e rëndë në fakt për skuadrën një mungesë kaq e gjatë, por ndërkohë drejtuesit e Vllaznisë kanë ndërmarrë një veprim tjetër. E kanë dërguar Kallakun në Serbi tek fizioterapistja e famshme Marijana. Atje ka zhvilluar 5 seanca terapie dhe gjendja e lojtarit tashmë është shumë më e mirë dhe dëmtimi thuajse i ka kaluar.

Si rrjedhojë, futbollisti ka mbërritur mbrëmë në Shkodër dhe sot ndërkohë i është bashkuar ekipit në stërvitje. Me shumë mundësi, stafi nuk do ta rrezikojë për ndeshjen e së dielës ndaj Partizanit, por për sfidën e ardhshme ndaj Teutës me shumë mundësi që Sherif Kallaku do të jetë në fushë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”