Futbolli nuk është thjesht një lojë, është një jetë më vete. Këtë e kanë treguar më së miri tifozët e Unionit të Berlinit, ekip që po çudit Gjermaninë dhe jo vetëm, pasi gjendet në krye të Bundeligës me pikë të barabarta me gjigandët e Bayern Munich dhe Borussia Dortmund.
Ekipi i kryeqytetit gjerman, i krijuar në vitin 1966 ka hasur shumë vështirësi gjatë viteve, ku ka rrezikuar disa herë falimentimin. Deri në vitin 1990, Unioni i Berlinit militoi në kategoritë inferiore, duke fituar disa kampionate, por pa arritur të ngjitet në Bundesligën 2. Në vitin 1990, pas ribashkimit të Gjermanisë, ekipi vijonte paraqitjet e mira, por pa arritur të merrnin licensën për të luajtur në ligën e dytë gjermane, për shkak të problemeve me financat. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1997, ku klubi u përball sërish me mungesë financash.
Duhej të vinte viti 2001, kur kryeqytetasit e drejtuar nga bullgari Georgi Vasilev arritën të luanin në Bundesligën 2, me ëndrrën për të qenë pjesë e më të mirëve. Në të njëjtin vit ata arritën edhe në finalen e Kupës së gjermanisë, por u mposhtën nga Schalke me rezultatin 2-0.
Viti 2003 do të ishte një nga vitet më të vështira për Unionin e Berlinit, pasi jo vetëm që zbritën në kategorinë e tretë, por u përballën sërish me vështirësi financiare, duke rrezikuar të mos licensoheshin dhe të “shkrihen” si skuadër. Por mrekullia ndodhi. Jo nga qielli, por nga toka, nga ata që e donin ekipin pa kushte dhe pa interes, tifozët. Këta të fundit nisën fushatën “Gjak për Unionin”, ku shitën gjakun e tyre dhe të ardhurat i dhuruan për ekipin në mënyrë që të shmangej falimentimi.
Në vitin 2008, më shumë se 2000 tifozë punuan si vullnetarë për rinovimin e stadiumit, për shkak se klubi nuk mund ta përballonte rikonstruktimin. Vitin pasardhës skuadra fitoi kampionatin e kategorisë së tretë dhe u ngjit në Bundesliga 2. Do të duhej të vinte viti 2019, ku kryeqytetasit do të festonin ngjitjen në kategorinë e më të mirëve, teksa në sezonin e parë në Bundesliga përfunduan në vendin e 11-të.
Ndërsa sot, klubi gëzon financa të shëndosha, ndëkrohë që po shkëlqen edhe në fushën e blertë. Fitimi i titullit kampion mund të jetë i vështirë, por asgjë nuk i ndalon tifozët magjikë të këtij ekipi të ëndërrojnë. ata kanë të drejtë të ëndërrojnë më shumë se kushdo tjetër, pasi kanë treguar që japin edhe gjakun për dashurinë e tyre të përjetshme.(Marrë nga newsport.al)