Lajme të mira rreth futbollistit të Vllaznisë, Geralb Smajli. Pas dy muajsh larg fushës së blertë, ai do të rikthehet në fushën e stërvitjes ditën e hënë me ekipin kuqeblu, duke lënë pas dëmtimin në gju, që pësoi në fund të këtij kampionati.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili sezonin që sapo u mbyll u paraqit mirë me Vllazninë, kohët e fundit ka bërë vetëm stërvitje individuale, teksa të hënën do të rikthehet në stërvitje plotësisht me grupin kuqeblu. Për Vllazninë është një rikthim i rëndësishëm për ndeshjet e Kupave të Europës dhe për sezonin e ardhshëm.

Tashmë, mbrojtësi shkodran do të jetë një armë plus për trajnerin Migen Memelli në krahun e djathtë të prapavijës. Ky padyshim që është një lajm i mirë, sepse Vllaznia për momentin ka probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, me kapitenin Gurishta që është në prag të largimit, ç’ka ka bërë që kjo pjesë e repartit të jetë tërësisht e boshatisur.

Megjithatë, për fat Smajli në vazhdim do të jetë i gatshëm për stafin teknik dhe trajnerin Migen Memelli. Kujtojmë këtu që, mbrojtësi i krahut të djathtë, Geralb Smajli, u kthye në një prej futbollistëve të domosdoshëm për ekipin shkodran, duke luajtur titullar për Vllazninë në 15-ndeshje, por një dëmtim e penalizoi për mbylljen e kampionatit që sapo lamë pas.
Maringlen ZHIVANI