Pasditen e sotme janë luajtur ndeshjet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë të cilat kanë dhuruar edhe emrat e skuadrave që do të vijojnë garën në këtë kompeticion, pikërisht në 1/8 të saj, tur në të cilin do të hyjnë në lojë edhe emrat “big” të futbollit shqiptar.
Në këto rrethana edhe Vllaznia si pjesmarrëse në turin e ardhshëm të Kupës, ka mësuar edhe emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet. Sipas skemës paraprake të Federatës, shkodranët do të ndesheshin me fituesin e çitit C5-C11, pra atë mes Ilirisë dhe Luftëtarit.
Kjo ndeshje e luajtur pasditen e sotme përfundoi me fitoren e thellë 5-0 të fushë- krujasve të cilët si rrjedhojë do të jenë kundërshtarët e Vllaznisë në turin e ardhshëm të Kupës. Do të jetë një ndeshje e vetme e cila do të luhet në muajin janar dhe pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ndërkohë deri diku janë përcaktuar edhe kundërshtarët e mundshëm të Vllaznisë në çerekfinale ku përballë saj do të jetë një prej 4 ekipeve të mëposhtme: Partizani, Tirana, Vora, Teuta. Gjithmonë nëse këto skuadra kualifikohen në çerekfinale edhe ato.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


