Vllaznia rrallëherë luan me të njëjtin formacion dhe shpesh ka shumë lëvizje nga ndeshja në ndeshje. Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë penalizuar kuqeblutë, por edhe prej faktit se jo pak herë futbollistë të ndryshëm nuk kanë bindur aq sa duhet me performancën e tyre trajnerin Mirel Josa.

E njëjta situatë pritet të jetë edhe ditën e nesërme ndaj Kukësit, ku tashmë janë mësuar edhe se cilët do të jenë titullarët që do ta nisin nga fillimi ndeshjen. Shumë lëvizje janë bërë gjatë seancave stërvitore, teksa për këtë përballje Josa ka mungesën e Marko Juriç të dëmtuar, ashtu si edhe të Darko Bulatoviç. Ndërkohë, pjesa tjetër duket e gatshme, teksa janë rikthyer edhe dy kosovarët Liridon Latifi dhe Lorik Boshnjaku.

Nga ndeshja e Kupës me Bylisin, ndryshimet janë disa, por nga ndeshja e fundit në kampionat ndaj Erzenit ka vetëm një ndryshim dhe bëhet fjalë për Herald Markun në vend të Elvedin Heriç. Kështu, nga sa është parë në stërvitje, Vllaznia do të ketë të njëjtin rreshtim si përherë, pikërisht me skemën 4-3-3.

Porta dhe mbrojtja nuk kanë asnjë dilemë. Zogoviç do të vijojë të jetë në mes të katërkëndorit, ndërsa Smajli, kapiteni Gurishta, Shehi dhe Hakaj do të formojnë repartin e mbrojtjes.

Në mesfushë duket se do të jetë treshja Jonuzi, Alivoda dhe Marku. Në sulm përkrah Malës dhe Hoxhajt në krahë, Bekim Balaj do të jetë titullar në majë, teksa sulmuesi shkodran jep garanci për duelet në ajër.

Trajneri Josa ka preferuar një ekip që të ketë ekuilibër dhe prandaj ka zgjedhur këtë 11-she për takimin në fjalë. Të paktën, këta futbollistë pritet ta nisin nga minuta e parë, edhe pse në Vllazninë e këtij sezoni çdo ndryshim nuk quhet më befasi.

Ndërkohë, ndeshja Vllaznia- Kukësi, e vlefshme për javën e 20-të të Abissnet Superiore, do të luhet në orën 16:00 të ditës së nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë nga kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Smajli, Gurishta, Shehi, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Marku, Mala, Balaj, Hoxhaj Tr: Mirel Josa