Vllaznia e volejbollit të femrave ka arritur të fitojë ndaj Barletit në ndeshjen e parë të fazës play-off të kampionatit duke hedhur një hap të rëndësishëm për kalimin në gjysmëfinale. Takimi është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe është fituar nga vajzat e drejtuara nga trajnerja Nora Deda me rezultatin 3-2 pas shumë emocionesh të krijuara.

Vllaznia e filloi mirë ndeshjen duke e fituar setin e parë me rezultatin 25-18 dhe kjo krijoi bindjen se mund t’ia dilte për ta fituar këtë ndeshje të parë të fazës play-off, por në fakt vazhdimi i saj do të tregonte se sfida do të kishte shumë rivalitet.

Në të dytin janë volejbollistet e Barletit të cilat luajnë më mirë dhe si rrjedhojë arrijnë ta fitojnë këtë set me rezultatin 25-20 dhe duke barazuar në këtë mënyrë numrin e tyre në 1-1. Kjo tregoi se përballja do të ishte shumë e fortë dhë në fakt kështu rezultoi.

Seti i tretë u dominua sërish nga Vllaznia e cila shfaqi qartë dëshirën e saj për ta fituar këtë ndeshje dhe si rrjedhojë ia doli ta mbyllte këtë set me rezultatin 25-21 dhe duke e kthyer ballancën në favorin e saj, por vetëm për pak minuta. Kjo sepse në të katërtin është Barleti që luan më mirë duke fituar 25-17 dhe si rrjedhojë duke e barazuar numrin e seteve në 2-2 dhe duke e çuar ndeshjen në set final.

Në këtë të fundit është Barleti që shënon pikën e parë, por Vllaznia barazon menjëherë. Ky set do të shoqërohej me disa barazime të njëpasnjëshme deri në 6-6, por më pas janë shkodranet që shkëputen në 8-6, më pas në 9-7, 10-8, 11-9, por Barleti arriti të barazonte në 11-11 dhe madje edhe të kalonte në avantazh 12-11.

Vajzat kuqeblu reaguan dhe barazuan në 12-12, megjithatë Barleti sërish e kaloi avantazhin në favorin e saj me 13-12, megjithatë Vllaznia reagoi edhe njëherë duke barazuar në 13-13, por shkon edhe më tej duke shënuar edhe pikën e 14-të. Më pas edhe të 15-tën dhe kësisoj krejt setin 15-13 e po ashtu edhe ndeshjen me rezultatin 3-2.

Ndeshja e dytë në mes këtyre dy skuadrave do të luhet pas tre ditësh në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe Vllaznia sigurisht që do të kërkojë edhe një fitore të dytë për të siguruar në këtë mënyrë kualifikimin për në gjysmëfinale të kampionatit./www.shkodrasport.com/