Pas disa ditësh stërvitje në fushën sportive “Reshit Rusi”, ditën e sotme, ekipi i Vllaznisë i ka mbyllur përgatitjet në stadiumin “Loro Boriçi”, për ndeshjen ndaj Egnatias, që do të luhet nesër.

Në këtë rikthim të kuqebluve, në një ambient ndryshe, pikërisht në “Loro Boriçi”, skuadra zhvilloi kryesisht përgatitje tekniko-taktike, teksa ata kryen edhe disa skema të ndryshme, në prag të kësaj ndeshjeje.

Stërvitja u zhvillua e plotë, por megjithatë trajneri Elvis Plori, nuk ka pasur të gatshëm të gjithë lojtarët e tij. Ata që vijojnë të mungojnë janë Gurishta, Latifi, Jonuzi, Aralica dhe Da Silva, teksa do të mungojnë edhe nesër ndaj Egnatias.

Mirëpo, për takimin ndaj Egnatias, trajneri Plori ka formatuar skuadrën e tij, disi më ndryshe nga ajo që kemi parë javët e kaluara. Sot nga sa është parë, trajneri Plori ka ndërtuar formacionin, që do të përballet në ndeshjen e tij të parë, në këtë vit tek Vllaznia.

Trajneri Plori pritet t’i kthehet skemës me katër në mbrojtje. Në portë, Zogoviç do të vijojë të mbrojë katërkëndorin si gjithmonë. Në mbrojtje, katërshja me Adilin dhe Hakajn në krahë dhe dyshen Diagne dhe Bulatoviç, në qendër.

Në mesfushë do të jetë katêrshja e përbërë nga Kruja dhe Smajli në krahë, ndërsa Heriç dhe Krymi në qendër. Më pas do të jetë Mustedanagiç më i tërhequr dhe në majë të sulmit i vetëm Gjurgjeviç. Ky pritet që të jetë edhe formacioni për përballjen e nesërme ndaj Egnatias.

Takimi ndaj Egnatias, i vlefshëm për javën e 26-të të kampionatit Abissnet Superiore, do të luhet nesër në Rrogozhinë, duke nisur nga ora 13:45.

Maringlen ZHIVANI