Ditën e sotme, Tërbuni do të presë Butrintin, në ndeshjen e javës së 24-të, në stadiumin “Ismail Xhemali” dhe synimi është vetëm fitorja.

Këtë javë stafi teknik me në krye trajnerin Elvin Beqiri, do t’i bëjë llogaritë me të gjithë lojtarët e gatshëm, teksa nuk pritet të ketë mungesa. Skuadra pukjane u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati që të luajë ndaj kundërshtarit të rradhës.

Tërbuni kërkon që të kthehet te fitorja ndaj Butrintit, pasi vjen në këtë sfidë pas një humbjeje dhe një barazimi. Ekipi pukjan nuk e mendon “blofin” përballë Butrintit, teksa luajnë në shtëpi dhe pas atij barazimi të fundit ndaj Tomorit dhe një humbjeje ndaj Erzenit, nesër kërkohet fitorja me Butrintit.

Në fakt, me sarandiotët nuk do të jetë e lehtë, megjithatë Tërbuni objektiv ka vetëm fitoren. Në këto 23-javë, pukjanët vërtetë kanë pasur luhatje, megjithatë mund të krenohen me rezultatet.

Janë vetëm 4 humbje të pësuara dhe 8 fitore dhe 11 barazime. Askush nuk ka dalë “X” më shumë se ata dhe kjo dëshmon se janë një ekip që nuk mundet kollaj.

Ndeshja Tërbuni-Butrinti do të luhet ditën e sotme, në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, duke nisur nga ora 14:00.

Maringlen ZHIVANI