Eden Hazard duket se do të jetë largimi i parë nga Çelsi në merkaton e verës dhe tashmë mund të konsiderohet çështje kohe kalimi i tij në Madrid. Klubi londinez nuk ka arritur ta mbajë më shumë në “Stamford Bridge” yllin belg dhe tashmë i duhet që të mendojë për të ardhmen për të mos pasur largime të tjera.

Kështu, “Daily Mail” raporton se drejtuesit e klubit kanë zgjedhur një mënyrë origjinale për të bindur talentin Kalum Hudson-Odoi për të qëndruar në Londër. 18-vjeçarit i është premtuar fanella me numrin 10 nga drejtuesit e klubit, të cilët kërkojnë ta bindin në këtë mënyrë duke i dhënë garanci se do të jetë një pjesë e rëndësishme e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.

Në drejtim të Hudson-Odoi ka pasur kërkesa të shumta ku Bajerni, PSG e Juventusi kanë shfaqur interes për të, por duke parë edhe bllokimin e merkatos nga FIFA, duket se Çelsi nuk e ka ndërmend të dobësohet duke larguar futbollistët më të mirë. Talenti Odoi mund të marrë numrin e Hazard në rast se ky i fundit largohet nga Londra për të firmosur me Realin.