Lamtumira e Thomas Strakoshës nga Lacio dukej 100% e sigurt, të paktën deri dje. Lajmi se Simone Inzagi nuk ka rinovuar me lacialët e do të shkojë te Interi, ka ndryshuar gjithçka si në klub, ashtu edhe personalisht për portierin shqiptar.
Inzagi gjatë sezonit të fundit vendosi të mos i besonte më Strakoshës, duke aktivizuar Pepe Reinan para tij e duke e lënë gardianin shqiptar në plan të dytë. Kjo shtyu Strakoshën që të ndërpriste bisedimet për rinovimin me klubin pasi e kishte të qartë se pa patur besimin e trajnerit, hapësirat për të luajtur nuk do të ekzistonin për të.
Por me largimin e teknikut, tani çdo gjë nis nga e para dhe në mediat italiane raportohet se gjërat mund të kthehen siç ishin më parë. Sigurisht. Pepe Reian do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit, por Strakosha mund të ketë më shumë hapësira e pse jo, të kthehet titullari i Lacios nën drejtimin e trajnerit të ri.
Çdo opsion duket i hapur, por në Itali janë të sigurt se Strakosha gjatë kësaj vere do të rinovojë kontratën që i përfundon në vitin 2022, ose do të largohet përfundimisht nga Lacio e cila nuk dëshiron ta humbasë me parametër zero një futbollisti nga i cili mund të përfitojë të ardhura të rëndësishme. /vipsport/


