Nga Endri ÇINARI

Zhgënjimi ka qenë i madh në ditët e fundit në Shkodër. Kjo për shkak se Vllaznia nuk arriti të shkonte në finalen e kampionatit. Ku shpresat dhe entuziasmi ishte shumë i lartë. Sidomos në rradhët e tifozerisë, që ishte e shumtë në numër të dielën e kaluar në shkallët e “Air Albania”.

Por kur ndalesh të bësh një analizë të ftohtë të sezonit, kuqeblutë i tejkaluan pritshmëritë e tyre. Kjo pasi sezoni filloi në mënyrën më negative të mundshme, ku pas 11 javësh nën drejtimin e Memellit, skuadra po luftonte për mbijetesë. Duhej të vinte në stolin e Vllaznisë, Qatip Osmani që 9 herë kampionët e vendit të ktheheshin shumë fort.

Një periudhë 3-4 mujore, ku tetovari arriti ta kthente ekipin në shinat e duhura. Duke e marrë nga fundi i tabelës për ta dërguar ngjitur me Egnatian. Ish-trajneri i Shkëndijës arriti të gjente mekanzimat e duhur që skuadra të funksiononte, por edhe të merrte maksimumin nga lojtarë që me Memellin nuk konsideroheshin thuajse fare. Megjithatë as Osmani nuk arriti të përfundonte edicionin dhe këtu ndoshta ishte një pikë kthese negative për Vllazninë.

Në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit, në stolin kuqeblu u rikthye Thomas Brdaric. Absolutisht i mirënjohur për vlerat e tij si trajner, por momenti për të ardhur në krye të shkodranëve nuk ishte i duhuri. Kjo pasi Osmani mund të qëndronte deri në fund dhe me kroato-gjermanin të niste një projekt i ri për ediconin 2024-25. Brdaric nuk arrit të përçonte thuajse asgjë nga idetë e tij në këto javë. Kjo si shkak edhe të kohës së limituar që kishte për të punuar.

Megjithatë tani ish-mesfushori i Leverkusen ka mjaftueshëm kohë për të ndërtuar një ekip pretendent për sezonin e ri. Duke nisur që nga merkato që duhet të punohet me lojtarë të konfirmuara dhe projekte aftagjata. Apo edhe me kupat e Europës, ku Vllaznia nuk kërkon të përsërisë “mëkatet” e verës së shkuar. Ku u eleminua që në raundin e parë kundër Lindfield./www.shkodrasport.com/