Partizani pësoi humbjen e dytë radhazi në kampionat. Të kuqtë këtë herë janë mposhtur në derbi nga Tirana me rezultatin 1-2. Sfida u vendos nga golat e shënuar nga Përgjoni në pjesën e parë, Stenio Junior barazon në pjesën e dytë nga penalltia. Sulmuesi gjuan dy herë penalltinë pasi herën e parë futen në zonë disa lojtarë të Tiranës.

Në momentin e dytë, Stenio Junior nuk gabon dhe barazon. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim 1-1, ishte Xhixha që shënoi golin e fitores në minutën e 100-të dhe doli me 3 pikë nga ky derbi. Në fundin e ndeshjes për “Gol pas Goli”, trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shpreh:

Derbi i humbur në fund? “Pësojmë gola të lehtë. Aty ku ishim në momentin më të mirë pasi barazuam rezultatin. Me daljen e Seferit ndryshuam lojën dhe menduam të rrezikonim më shumë, por të pësosh gol ashtu, padashur t’I heq meritën Xhixhës, por është një mangësi e jona me 3 mbrojtësit. Një mbyllje më e mirë e lojtarëve në ato momente mund të kishim marrë më shumë nga ky derbi”.

E kishit menduar kështu sezonin? “Nuk e kishim menduar kështu dhe të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për këtë ecuri. Duhet të reflektojmë të gjithë për golat që kemi pësuar”.

Mendoni se jeni në fund me Partizanin? “Nëse do t’i rikthehemi sezonit, ekipi prodhon lojë. Nuk po flas për derbin pasi nuk ka ndonjë prodhim loje si nga ne ashtu edhe nga Tirana dhe lufta bëhet në mesfushë. Na mungojnë pikët pasi meritojmë më shumë nga loja që kemi bërë. Do të ulemi me drejtuesit për të folur për të ardhmen”.

A mendoni se disa lojtarë nuk duhet të vëshin më këtë fanellë? “Përveç 3 ndërrimeve që bëmë, pjesa tjetër ishte nga U19. Sot edhe Junior, Kaçe e shumë lojtarë të tjerë nuk ishin stërvitur shumë mirë. Me dëmtimin e Muratajt, besoj se me gjysmën e ekipit që kishim tentuam të bënim më shumë dhe ajo që na dhemb më shumë është pësimi I golave që i marrim lehtë. Do bëjmë një analizë dhe do të gjejmë ku janë gabimet. Do flas me klubin për të ardhmen time dhe të disa lojtarëve”.

Nuk keni besim te skuadra? “Në këtë situatë të vështirë që jemi, njëri duhet të marrë përgjegjësinë ose disa e për këtë gjë do të flas me drejtuesit. Nëse është gjëja më e mirë për klubin që ta marr unë përgjegjësinë e golave të pësuar, atëherë do e marr unë. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë në këtë momente dhe ai që e pëson është gjithmonë trajneri.

Stenio Junio vazhdon të luajë mirë, por shërbehet siç është shërbyer sezonin e kaluar e për këtë arsye ai kthehet shumë mbrapa për të luajtur. Është mungesa e ekipit që të dërgojnë Stenio Junior para porte pasi ai është një nga lojtarët më të mirë në skuadër. I uroj të gjithëve gëzuar festat”, u shpreh Daja.