Kukësi e mbylli vitin futbollistik në vendin e dytë, me 28 pikë. Verlindorët kanë bërë një postim në rrjetet sociale, ku falenderojnë të gjithë tifozët për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe “shtegtimi” jashtë shtëpisë.

Një falenderim i veçantë shkoi edhe për qytetarët shkodranë dhe lojtarin e 12-të të Vllaznisë, për respektin dhe mirëpritjen gjatë kohës që kanë luajtur në Shkodër si ekip pritës. Klubi mbyll postimin me fjalët: “Tani është koha të rikthehemi në Kukës”.

Postimi:

“Faleminderit të gjithë tifozëve të cilët na kanë mbështetur deri në këtë pikë të sezonit jo vetëm në stadium por edhe jashtë dhe çdo moment. Gjithashtu gjejmë rastin të falënderojmë tifozët e Vllaznisë dhe qytetarët shkodranë për respektin që kanë treguar për ne gjatë ndeshjeve që skuadra jonë ka luajtur si pritëse në Shkodër.

Jemi ndierë si në shtëpinë tonë. Tani është koha të rikthehemi në Kukës. Shpresojmë të shihemi së shpejti në shtëpi! Bashkë jemi më të fortë!” – shkruan klubi.