Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në sfidën e fundit të kampionatit. Kuqeblutë ndanë një pikë me Partizanin në javën e 21-të të kampionatit. Rezultat që la ndoshta të pakënaqur të dy kampet, por për mënyrën se si shkoi ndeshja ishte ndoshta një rezultat logjik dhe i pranueshëm.
Protagonist me golin e tij për shkodranët ishte si thuajse çdo herë në javët e fundit, Liridon Latifi. Fantazisti nga Prishtina realizoi golin e tij të 9-të këtë kampionat, duke shpallur kështu edhe kandidaturën e tij për fitimin e Këpucës së Artë. Goli i shënuar nga numri 7-të ishte nëpërmjet një penalltie.
Kjo ishte penalltia e katërt këtë edicion 2021-22 në favor të Vllaznisë. Kuqeblutë kanë marrë penallti në favor në ndeshjet kundër Laçit, Egnatias, Kastriotit dhe së fundmi edhe Partizanit. Të gjithq këto goditje janë marrë përsipër nga Liridon Latifi i cili është treguar 100 % i saktë duke dërguar gjithmonë topin në rrjetë.
Pavarësisht se në tentativën e parë kundër Partizanit, Latifi gaboi. Penalltia u përsërit dhe me anë të një goditje “panenka”, 28-vjeçari arriti të mposhte Alban Hoxhen. Kjo duke mbajtur rekordin e tij personal, por edhe të Vllaznisë këtë sezon me 100 % saktësi nga pika e bardhë e 11 metrave.
Endri ÇINARI