Ledio Pano beson se skuadra favorite për të fituar Botërorin është Brazili. I ftuar në studion e “Qatar N’24”, emisionin më të ri rreth Botërorit në “News 24”, ai ka theksuar se brazilianët kanë sulmin më të mirë të këtij turneu, ndërsa nuk e shihte Francën në nivelet e katër viteve më parë.

“Hapja ishte spektakolare, varet nga pikëpamja, shija e pëlqimet që kemi. Por besoj që hapja ishte spektakolare, ishte e bukur. Nëse hapja ishte e bukur, ndeshja nuk arriti aty ku ne prisnim, të paktën të shihnim një Katar pak më luftarak, të organizuar, një ekip më të mirë që mund të dallonte me ekipet e tjera. Mendoj se qe e dobët për mendimin tim, por nga investimet që janë bërë pritej më shumë.

Edhe ato studime që bëhen, nuk bëhen kot. Brazili është favorit dhe ka një nga ekipet më të mira, me lojtarë shumë cilësorë dhe me kualitet. Për mendimin tim Brazili ka treshen sulmuese më të mirë aktualisht me Nejmar. Sigurisht dhe gjithmonë Brazili është mbajtur me mesfushorë dhe sulmues. Besoj që edhe në mbrojtje, por edhe në mesfushë, ka lojtarë shumë cilësorë.

Franca, ka Mbape, po të ishte Pogba e Kante, do të ishte favorite. Francës i mungojnë këto të dy lojtarët kryesorë të mesfushës. Ka të rinj dhe ekipe të mirë, por nuk është ajo Francë që ishte para katër vitesh. Holanda? Van Gal nuk më ka pëlqyer ndonjëherë. Ai kishte Holandën më të mirë me lojtarë më cilësorë që pas 1974-ës”, tha Pano.