Ekipet e “Atletik Klub Shkodra” kanë mbyllur një tjetër pjesëmarrje të suksesshme në të 12-tin vit rradhazi në turneun e Roverettos në Itali.

Futbollistët e vegjël shkodranë u kthyen nga shteti fqinj me dy Kupa të fituara, pikërisht ato të grupmoshave U-9 dhe U-15.

Në fakt, për ekipin U-9 të Atletik pritej ky sukses dhe drejtori teknik Elis Legata e kishte paralajmëruar që para nisjes nga Shkodra. Ata bënë një paraqitje shumë të mirë, duke i mposhtur të gjithë rivalët dhe si rrjedhojë arriti të marrë edhe Kupën, si ekipi fitues i kësaj grupmoshe.

Pikërisht, drejtori teknik i Atletik Klub Shkodra, Elis Legata, në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh se me ekipin U-15 ishte surprizë fitimi i një trofeu për shkaqe të ndryshme, ndërsa theksoi se portieri Angjelo Lumçi ishte një nga futbollistët kryesor që i dha trofeun këtij ekipi. Poashtu, Legata shtoi faktin se janë shumë të kënaqur me fitimin e këtyre trofeve, ndërsa tha se mbështetja në Itali prej tifozëve shqiptarë ishte e jashtëzakonshme.

“Të them të drejtën, ekipi U-15 ishte surprizë, sepse ne nuk shkuam me grupin e plotë të Atletik. Shkuam në bashkëpunim me një Akademi tjetër, duke binjakëzuar skuadrën. Portieri Angjelo Lumçi dhe një futbollist tjetër e morën ekipin për dore dhe na dhanë trofeun. Të them të drejtën, futbollistët e merituan një sukses të tillë.

Normalisht që jemi të kënaqur, sepse për mua kryesorja është të shkojmë dhe të vijmë mirë. Fëmijët të argëtohen dhe të marrin eksperienca të reja, por kur vjen edhe me trofe, normalisht që je dyfish i kënaqur.

Të them të drejtën, luajtëm një ndeshje ndaj Shënkollit plot emocione, ku ne patëm fat dhe fituam. Mbështetja në Itali ishte një diçka e jashtëzakonshme, sepse stadiumi ishte plot shqiptarë, ku edhe fëmijët ndjenë emocion, adrenalinë dhe ata u habitën me dëshirën dhe sportivitetin e tifozëve shqiptarë atje.

Normalisht, Atletik Klub Shkodra çdo herë që ka shkuar në aktivitetin e Roverettos ka sjellur Kupa, është prezantuar jashtëzakonisht mirë, sepse kjo është shkak i punës së mirë që bëhet në qytetin e Shkodrës. Më pas, normalisht që do të ketë rezultate edhe në arenën ndërkombëtare.

Shpesh herë përmendet emri im, por asnjë nga ne nuk arrin ta kuptojë që kemi një staf të mrekullueshëm, ku përbëhet nga 10-vetë, të cilët janë jashtëzakonisht punëtorë, ku ata e bëjnë punën më të madhe. Unë thjesht jam drejtori, ku unë merrem me punën e organizimit, por ata janë njerëzit që e drejtojnë këtë Akademi dhe e menaxhojnë mirë, duke e stërvitur.

Ne kemi edhe një mbështetje të jashtëzakonshme edhe prej Elton Bungajës, ku ai është në Amerikë, por në çdo moment dhe në çdo sekond kontribuon për skuadrën tonë. Na ndihmon, interesohet çfarë kemi nevojë.

Duhet të theksojmë diçka që edhe në këtë aktivitet, ai ka qenë prezent për të na ndihmuar, sepse stafi jonë ka qenë thjesht për të kontribuar për fëmijët. Nuk është se kemi pasur ndonjë interes apo ndonjë pagesë për të punuar këu. Unë dua të falënderoj atë bashkë me vëllain e tij, Aldi Bungaja.

Të them të drejtën, kur e morëm në ndeshjen finale me kamer, prej gëzimit nuk po dinte si të festonte, sepse ai i ndjen këto emocione dhe i ka provuar më përpara. Shpresoj që të kthehet dhe të jetë përsëri pjesë e jona.

Vazhdimësia në garat e kampionatit? Me U-14 dhe U-15 pretendojmë të jemi në mesin e tabelës. Normalisht, U-9 është ekip kampion i padiskutueshëm, sepse i ka të gjitha fitore. U-11 është në mesin e tabelës dhe poashtu edhe U-13”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori teknik i Atletik Klub Shkodra, Elis Legata.
Maringlen ZHIVANI