Pasi shpëtoi sezonin, duke qëndruar në Superiore me vuajtje të mëdha, Skënderbeu do të kërkojë të hënën fitimin e Kupës së dytë në histori, në finalen ndaj Vllaznisë. Ky duel, rikthehet pas 56 vitesh, teksa për herë të fundit më 11 korrik 1965, Vllaznia fitonte minimalisht 1-0. Kjo është nja nga 5 finalet e humbura të Skënderbeut në Kupë, ndërsa ka arritur të fitojë këtë trofe vetëm në 2018-ën kundër Laçit.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, një nga protagonistët e kohës së futbollit korçar dhe legjendë e gjallë e Skënderbeut, Teodor Vaso, kujton me nostalgji finalen me Vllazninë, ndërsa komenton edhe skuadrën e sotme të drejtuar nga Memelli. Në atë finale, Vaso ka munguar për shkak se në atë vit ishte pjesë e Partizanit, por gjithsesi memoria e tij është ende e freskët.

Profesor Vaso, si e mbani mend Skënderbeun në finalen e Kupës së vitit 1965 ndaj Vllaznisë?

Ishte një eveniment i jashtëzakonshëm, për arsye se ishte finalja e Kupës së Republikës. Në 35 vite s’kishte ngjarje tjetër të rëndësishme, përveç madhështisë së ekipit të Skënderbeut në vitet ‘30. Mungesat ndikuan. Ndeshja përfundoi 1-0 për Vllazninë dhe duhet ta pranojmë që vlerat e shkodranëve, në përbërje të së cilit ishin lojtarë të Kombëtares, ishin të dukshme.


Kush kanë qenë protagonistët e këtij takimi dhe çfarë ju kujtohet?

Duke patur parasysh se një ekip futbolli ka 11 lojtarë, mund të veçoj Minella Larën, portieri i Skënderbeut që bëri një paraqitje fantastike dhe një faktor ndikues në ecurinë e skuadrës. Ky kontigjent lojtarësh udhëhiqej nga kapiteni i skuadrës, Kosta Koça, dhe në të ishin pjesë elementë të afirmuar si Zeni Çela, Ëngjëll Dvorani, dhe njëherësh Maksim Tuxhari, i cili në mungesë të Aleko Pilikës dhe Teodor Vasos, ishte golashënues, si dhe Koça. Patjetër, në këtë arritje për Skënderbeun dhe në këtë ndeshje kanë vlera edhe futbollistët e tjerë si Gjergo Shule, Veteran Topçiu dhe Zhani Pilika.


Tani, pas 56 vitesh si i shikoni këto dy ekipe në finale të Kupës?

Ajo që është më e dukshme është gjendja dhe kontrasti i dy ekipeve. Kemi të bëjmë me Skënderbeun që vjen nga një periudhë e lavdishme me tetë tituj kampion dhe njëherësh në këtë sezon të vështirë, kemi një lulëzim të shpejtë të ekipit që ka rritur paraqitjen. Nga ana tjetër, Vllaznia pas shumë vitesh me probleme të theksuara vjen në një vit prodhimtarie, ku edhe sikur ta fitonte titullin nuk ishte një titull i pamerituar, por një meritë e një ekipi me traditë.


A mundet Skënderbeu që ta fitojë Kupën këtë sezon?

Nëse shohim vlerësim nga pikëpamja teknike, duhet ta pranojmë që vlerat e dy ekipeve kanë qenë të ndryshme. Njëra arriti t’i shpëtojë rënies nga kategoria dhe në të njëjtën kohë tregoi vlera futbollistike cilësore, gjë e cila krijon idenë se rezultatet e fundit me ekipe të forta si ndaj Partizanit në transfertë, nuk është çudi që të fitojë Kupën këtë sezon.

Por, Vllaznia udhëhoqi një etapë të kampionatit dhe tregoi se ka vlera për të luajtur ndaj cilitdo ekip. Në fakt, nuk mundet që unë të dal jashtë kornizës si një personalitet i futbollit korçar. Prandaj, dëshiroj që këtë Kupë ta marrë Skënderbeu, por gjithmonë do të presim çfarë do të prodhojnë këto ekipe në fushë.