Opinion nga Gjergj KOLA
Ai që Apolonia i dha Vllaznisë sot, ishte një leksion i vërtetë. Barazimi 1-1 brenda në “Loro Boriçi” duhet t’i shkundë mirë shkodranët. Para ndeshjes kam qenë shumë optimist për një fitore të thellë të Vllaznisë në këtë ndeshje, madje isha gati “të vija bast” me mikun time, trajnerin e Apolonisë Ernest Gjoka. Kur unë i thoja se do mundej 2 ose 3 me zero, ai qeshte.
“Barazimi e kam në xhep, por po mendoj për fitoren”- ngulte këmbë Nesti. Qeshja edhe unë sepse sinqerisht nuk e besoja. Dy skuadrat që do përballeshin në fushë kishin diferenca të mëdha me njëra- tjetrën. Vllaznia me emra të mëdhenj, Apolonia me futbollistë të rinj. Vllaznia me pagesa të mëdha, Apolonia me rroga nga 300 deri në 1 milionë lekë maksimumi për futbollist në muaj. Vllaznia luante në Shkodër, Apolonia në transfertë.Megjithatë Nesti kishte patur të drejtë. Në disa raste nuk fiton as emri, as milionat dhe as fusha. Vendos dëshira dhe grinta që shfaq në fushë.
Diferencat. Në fushë nuk u panë diferenca të mëdha. Përkundrazi në momente të veçanta edhe Apolonia deshi të tregohej superiore. Në rradhët e saj ishin disa futbollistë të talentuar si Ribaj, Rama apo dhe Jakupi shtatëshkurtër në mesfushë që nuk u shfaqën aspak inferiorë ndaj emrave të mëdhenj që kishte Vllaznia. Gjatë gjithë javës para ndeshjes, trajneri Duro deklaronte se mes ekipeve të Superligës shqiptare nuk ka diferenca dhe në fakt, unë vetë nuk doja ta besoja se e thoshte seriozisht. Panorama e ndeshjes së zhvilluar sot, i dha të drejtë Duros. Në fakt vetëm për rezultatin.Për të tjerat nuk i jap të drejtë. Nëse ai e ka ditur se në futbollin shqiptar nuk ka diferenca, atëherë pse ka kërkuar të ketë në skuadër futbollistë që paguhen nga 40-45 milionë lekë në vend që të merrte futbollistët e Apolonisë që paguhen nga 3 deri në 10 milionë më i shumti? Edhe në drejtimin në pankinë nuk pamë ndonjë diferencë të madhe në këtë ndeshje, për të mos thënë që Gjoka doli fitues ndaj Duros. Ky i fundit ka më shumë përvojë, paguhet më shumë, ka patur luksin të zgjedhë lojtarë më të mirë, megjithatë nuk ia doli të mundë “të riun” me perspektivë Nest Gjoka.
Vllaznia. Ajo çfarë pamë në këtë ndeshje lë shumë për të dëshiruar. E çuditshme, madje për të mos thënë qesharake mënyra sesi Vllaznia ekzekutonte goditjet e dënimit në hyrje të zonës kundërshtare. Në momentin e gjuajtjes, 3-4 futbollistë mblidheshin pranë topit duke u grindur se kush do ta gjuante topin. Edhe në një moment që trajneri Duro ndërhyri për të mos lejuar njërin ta gjuante, atë nuk e pyeti kush!!! Përpos kësaj, në minutat e fundit të ndeshjes, kur Vllaznia po ushtronte presion në kërkim të golit të fitores, ajo fitoi jo pak goditje standarte, me të cilat mund të përfitosh me anë të futbollistëve shtatëlartë. E çuditshme por thuajse në të gjitha këto goditjet, shtatëlarti Tefik Osmani preferoi të qëndronte në gjysmëfushën e tij sesa të shkonte në zonën e kundërshtarit me objektiv për të goditur topin me kokë drejt portës. Mund të ndodh edhe kështu por realiteti është që skuadra shkodrane bëri pak për ta fituar këtë ndeshje.