Armando Sadiku ëndërron të luajë në Serie A, por do duhet të presa sa duket. Sulmuesi nga Elbasani në janar u ble nga Levante për 1 milion euro nga Legia Varshava, ndërkohë që në Spanjë pati një dëmtim dhe luajti shumë pak, duke mos mundur të gjejë dot rrugën e rrjetës.
Së fundmi për të interesohen në Turqi, ku më parë është lakuar për një kalim te skuadra e Basaksehir. Klubi që e do dhe e zbulojnë mediat turke është Rizespor-i dhe për sulmuesin madje është bërë edhe një ofertë përfundimtare.
Rizespor siguroi ngjitjen në Superligë vjet dhe në ekip ka pasur edhe sulmuesin Vedat Muriqi, i cili ka provuar të luajë në Superiore me Teutën dhe Besën.
Sulmuesi i Kosovës arriti vjet të shënonte tetë gola. Tanimë klubi turk kërkon edhe Sadikun, i cili u ishte sugjeruar edhe para dy vitesh.
SEZONI I FUNDIT I SADIKUT – Verën e shkuar Zurich e shiti sulmuesin te Legia e Varshavës, që e mori me bujë Sadikun, por pati pakënaqësi për atë që dha në fushën e blertë.
Futbollisti 27-vjeçar luajti në 17 takime (8 si titullar) dhe shënoi dy gola në kampionat dhe dyfishin në Kupën e Polonisë.
Sadiku dha gjithashtu edhe 4 asiste, por këto shifra nuk i bindën polakët, kjo edhe për faktin që ishte ndër më të paguarit në skuadër dhe përfitonte një pagë që shkonte në rreth 600 mijë euro në sezon.
Nisur nga rendimenti i tij, u mendua që të shitej dhe oferta e Levante nuk mund të refuzohej. Në La Liga sulmuesi luajti vetëm në 6 ndeshje, teksa katër herë e nisi si titullar. /EDS/