Godfrej Ualusimbi bëhet i gjallë. Pas afro dy muajsh, lojtari ka kontaktuar me klubin dhe ka rrëfyer arsyen e vërtetë pse nuk u kthye më në Shkodër. Mbrojtësi pritej në stërvitje që në ditët e para të janarit, por kurrë nuk erdhi. Dhe nga sa kuptohet, nuk do të vijë më.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se lojtari ka pësuar një aksident në Ugandë dhe ka dëmtuar këmbën. Duke e pasur të pamundur rikthimin e shpejtë në fushë, e ka parë të udhës që të marrë vendimin drastik. Ai ka komunikuar me drejtuesit dhe i ka bërë me dije se më e mira do të ishte që ta prishnin kontratën. Te Vllaznia e kishin paguar me korrektësi deri në dhjetor, ndaj vendosën që ta kërcënonin me gjobë dhe gjyq.

Ata kishin përgatitur thuajse gjithçka, por varianti që u ka dhënë afrikani i ka bindur që të bëjnë një hap pas dhe me shumë mundësi do t’i japin edhe lejen e kalimit. Kujtojmë se mbrojtësi erdhi në nisje të këtij sezoni te kuqeblutë, ndonëse me shumë vonesë për shkak të vizës.

Ai luajti 542 minuta në 8 ndeshje, por në të vërtetë kurrë nuk e bëri diferencën. Pas pushimeve të dimrit, ai u kthye në vendlindje për të pushuar dhe në klub kishin menduar se ai do të kthehej në ditët e para të janarit. Por e kundërta ngjau, pasi nuk iu përgjigj urdhrit të klubit.

Kjo e detyroi administratorin Suad Lici që ta kërcënonte, duke paralajmëruar se do të merreshin masa. Por me kalimin e muajit, situata ka ndryshuar katërcipërisht dhe “divorci” mund të vijë në paqe të plotë dhe pa kurrfarë penaliteti.