Shqipëria e 16-vjeçarëve vijon me intensitet përgatitjet në prag të turneut “UEFA Development Tournament”, që nis nesër për kuqezinjtë e vegjël me sfidën e parë ndaj Lituanisë, në orën 14:00. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Qendrën Sportive Kamëz, ashtu si edhe ndeshja hapëse e turneut, ajo ndërmjet Algjerisë dhe Gjeorgjisë, që fillon në orën 11:00.

Në prag të debutimit në këtë turne foli trajneri Elvin Beqiri, i cili shfaqet i kënaqur nga skuadra në këto ditë të para të grumbullimit.

“Gjendja e skuadrës duket e mirë. Në këtë grumbullim kemi disa lojtarë që vijnë për herë të parë, ndwrsa një pjesë e lojtarwve ka qenë dhe më përpara pjesë e U-16 dhe U-17. Shpresojmë shumë të kemi një paraqitje të mira, skuadra më duket e impenjuar. Lojtarë të talentuar për të ardhmen? Ne shpresojmë, puna jonë e tillë është, që të nxjerrim sa më shumë elementë të cilët do të jenë baza e Kombëtares A. Shpresojmë që të kenë një vazhdimësi, që të jenë pjesë e skuadrave kombëtare, si dhe të kenë një paraqitje të mirë edhe në nivel klubesh. Shpresojmë që të arrijmë rezultate të mira, për të pasur një motivim më shumë në skuadër.”

Entuziast për këtë grumbullim, Romeo Abazaj, djali i ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Eduard Abazaj, u shpreh.

“Jam Romeo Abazi, 15 vjeç, vij nga Rio Ave në Portugali. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi stërvitur shumë, jemi një grup i bashkuar. Ndihemi gati për keto ndeshje. Jam shumë i lumtur që luaj për Kombëtaren e Shqiperisë, dua të ndjek gjurmët e babait tim, që ka qenë një lojtar shumë i mirë. Idhulli im në Kombëtaren Shqiptare është Elseid Hysaj”.

Për FSHF.tv foli edhe Renaldo Torraj, 15-vjeçari vlonjat që vjen nga Tottenhami.

“Për mua, ky është grumbullimi i dytë. Ndihem shumë mirë, jemi të bashkuar të gjithë çunat. Gjithçka po shkon shumë mirë, është një eksperiencë shumë e mirë. Ne jemi gati për këto ndeshje. Ëndrra ime është që të luaj në Champions League, në nivele të larta. Për momentin dua të kem sa më shpejt një kontratë profesionale. Kur luan Kombëtarja Shqiptare, e ndjek nga televizori. Të luash për Shqipërinë, është shumë bukur. Idhulli im në Kombëtaren Shqiptare është Rey Manaj, luaj në të njëjtin pozicion. Në futbollin europian kam idhurll Eden Hazard”, – theksoi Torraj.