Alsid Tafili është nga ata ish-futbollistë të Vllaznisë që ka luajtur me fanellën kuqeblu për gati një dekadë. Ish-mesfushori i është futur tashmë rrugës së trajningut me grupmoshat në Shkodër, por gjithashtu menaxhimit të futbollistëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tafili i bëri një analizë ecurisë së deritanishme të Vllaznisë, ndërsa beson se nesër ndaj Laçit, kuqeblutë do të rikthehen te fitorja.

Ai mendon se dora e trajnerit Qatip Osmani do të duket shumë shpejt.

Alsid, çfarë përshtypje ju ka lënë Vllaznia në këto 12 javë kampionat?

Vllaznia e këtyre javëve ka pasur luhatje të mjaftueshme, në performancë dhe mënyrën e lojës si ekip. Megjithatë, unë shpresoj që kjo krizë rezultatesh, por edhe ngërçi psikologjik që ka pasur skuadra, të jetë përmirësuar në periudhën e pushimit.

Pas ndryshimit të trajnerëve, në klub ka pasur lëvizje edhe në rolin e drejtorit teknik. Sa mund të ndikojnë këto në përmirësimin e situatës?

Nëse flasim për drejtorin teknik, më shumë ai do të ndërhyjë në janar, sepse në këtë periudhë nuk e shikoj që mund të ketë një ndikim të madh, pasi më shumë është në dorë të stafit teknik. Pjesa e drejtorit nuk shikohet nga dita në ditë, por kërkon një periudhë më afatgjatë, sepse ai mund të ndikojë te merkato, por edhe te sistemimi i disa gjërave që mund t’i shikojë të arsyeshme.

Kur mendoni se do të ndihet dora e trajnerit Qatip Osmani në skuadër?

Normalisht pas kësaj pauze, duhet shikojmë një ndryshim në skuadër. Trajneri më duket serioz dhe profesionist në punën që bën, për më tepër që ka një eksperiencë të madhe.

Në gjithë këtë periudhë, dëmtimet kanë qenë të shpeshta në skuadër. Ky fakt ka qenë edhe si alibi për rezultatit. Gjykoni se kanë ndikuar?

Po, mendoj se kanë ndikuar shumë dëmtimet, duke parë që nuk kemi pasur edhe zëvendësuesit e duhur disa herë, pikërisht aty ku kemi shfaqur problemet më të mëdha.

A ishte ndërprerja e kampionatit një plus për Vllazninë?

Ndërprerja ka ndikuar për mirë, sepse ka rikthyer qetësinë në skuadër, ndërsa stafi ka pasur kohën e nevojshme të përmirësimit të disa gjërave, ku është dashur të ndryshojnë në mënyrën e lojës.

Ndaj Laçit besoni te kthesa e skuadrës?

Besoj patjetër te kthesa, sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe skuadra ka shumë nevojë për një fitore. Momentalisht nuk tolerohet asgjë tjetër, veç fitores. Shpresoj që ekipi do të marrë tri pikë me Laçin.

Ky sezon ka një tjetër skemë. A mund të jetë në favor të shkodranëve “Final 4”?

Kjo është një formulë që i mban të gjitha ekipet në lojë, ku mund të shpresojnë deri në fund. Nga mënyra sesi ka shkuar deri më tani kampionati, them se kjo skemë është në favor të Vllaznisë.

ORMACIONI

Gomesh apo Gruda, Osmani i dyzuar për sulmin

Vllaznia do të kërkojë kthesën e madhe në ndeshjen me Laçin, që do të luhet të premten në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Në këtë periudhë pushimi të kampionatit, trajneri Qatip Osmani ka punuar më tepër me skuadrën në aspektin taktik, duke kërkuar të injektojë te futbollistët stilin e lojës që ai kërkon. Mirëpo, mungesat e Bekim Balajt dhe Esat Malës, ia kanë prishur jo pak planet e formacionit kundër Laçi.

Vllaznia zhvilloi edhe një test kontrolli në fundjavën e kaluar brenda grupit dhe nga ajo që u pa, zëvendësuesi i Balajt në majën e sulmit, u provua braziliani Bruno Gomesh, i cili shënoi edhe tri gola. Ai vjen pas një kohe të gjatë pa luajtur dhe nuk është në gjendjen më të mirë fizike. Osmani duket i dyzuar për ta aktivizuar titullar, por në të njëjtën kohë ka edhe planin B, që është Ildi Gruda. Ky i fundit ka luajtur në këtë pozicion kur ka qenë pjesë e Teutës. Gjithsesi, ky nuk është roli natyral i 23- vjeçarit shkodran.

PROBLEMET

Balaj dhe Mala, mungesat e sigurta

BALA

Kapiteni Bekim Balaj dhe mesfushori Esat Mala, do të jenë mungesat e rëndësishme të Vllaznisë në ndeshjen e nesërme ndaj Laçit, që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Sulmuesi ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të mungojë një ndeshje, ndërsa Mala vijon i dëmtuar prej tre javësh.

Në fakt, shpresat për riaftësimin e tij ishin të mëdha pas pauzës së kampionatit, por mjekët i kanë rekomanduar të vijojë të jetë jashtë fushës edhe për disa ditë, pas problemeve që ka pasur në muskujt rrëzës kofshëve. Trajneri Qatip Osmani është i detyruar të bëjë disa ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj kurbinasve.