✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Sërish lëvizje tek Akademia Vllaznia dhe përsëri tek pankina e ekipit U19 të saj e cila duket se nuk po gjen qetësinë e duhur. Prej dy ditësh ka patur një ndryshim dhe Edmond Doçi është tashmë “timonieri” i ri.

Ai ka zënë vendin e Ndriçim Shtubinës i cili e ka bërë një rol të tillë prej disa javësh që prej largimit të Elvis Plorit drejt skuadrës së Besëlidhjes. Në fakt kemi thjesht një rrokadë trajnerësh sepse Doçi do të marrë ekipin U19, ndërsa Shtubina atë U14 të Akademisë Vllaznia.

Gazeta “Shkodra Sport” mëson se arsyeja e kësaj lëvizje ka patur të bëjë me faktin që ekipi U19 kërkon shumë kohë dhe angazhim dhe si rrjedhojë Shtubina e ka patur të pamundur të vazhdojë të bëjë edhe punën e kordinatorit teknik të Akademisë, detyrë që e ka prej dy sezonesh.

Tek ekipi U14 do të ketë më shumë kohë e mundësi për t’i bërë të dy punët, ndërkohë që Edmond Doçi do të debutojë sot në krye të ekipit U19, pikërisht në ndeshjen që do të luajë në orën 11:00 në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj ekipit të Laçit që kryeson renditjen e këtij kampionati.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”