Kombëtarja U-17 për femra e ka nisur mbarë aventurën e saj në raundin kualifikues të Evropianit të moshës U-17, pasi mposhti me rezultatin 1-0 Azerbajxhanin. Një sukses i merituar për ekipin e drejtuar nga trajneri Agustin Kola, që i jep tre pikët e para Shqipërisë në Grupin 3 të Ligës B të Evropianit. Shqipëria U-17 e nisi lojën me këtë formacion: Synaj, Tori, Maxhalaku, Bilinishta, Vasa, Coka, Methoxha, Borci, Kodra, Muça dhe Reshiti.

Vajzat kuqezi e nisën mirë ndeshjen dhe shfaqen vazhdimisht rrezikshëm para portës së Azerbajxhanit. Dominimi i Shqipërisë shpërblehet në minutën e 37-të kur futbollistja e Vllaznise Klaudia Borci arrin të shënojë golin e avantazhit me një gjuajtje nga afër duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke fiksuar shifrat në 1-0. Edhe pas golit Kombëtarja shqiptare vazhdon të luajë në sulm, duke e mbajtur Azerbajxhanin në pjesën më të madhe të tërhequr.

Edhe në pjesën e dytë Shqipëria është më superiore, duke krijuar raste të pastra për shënim me Muçën dhe Cokën, që nuk arritën ta mposhtnin portieren Isayeva. Gjithsesi, përfaqësuesja kuqezi arrin të ruajë avantazhin deri në fund, duke ruajtur avantazhin 1-0 deri në vërshëllimën finale.

Në ndeshjen tjetër të Grupit 3 të luajtur më herët në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Skocia U-17 mundi Maqedoninë e Veriut U-17 me rezultatin e thellë 9-0. Një sfidë e dominuar nga fillimi e deri në fund nga vajzat skoceze, teksa golat u shënuan nga Mcleary (7′, 75′), Jardine (16′), Bates (31′), Taylor (33′), Mcauley (72′), J. Pavlovska (83′ ag), Berry (90’+1) dhe Livingstone (90’+4).