Mungesat e Vllaznisë ndikuan në paraqitjen e djeshme të shkodranëve. Ky është mendimi i drejtorit të Akademisë së Vllaznisë, Alban Neziri, teksa gjatë një interviste për “Shkodra Sport”, ka folur për situatën momentale që po kalon Vllaznia.

“Besoj se ishte një ndeshje shumë e fortë, sepse e kam thënë edhe rradhë të tjera, Kukësi është një ndër ekipet më të mira në Shqipëri, sepse ka shpenzuar shumë këtë vit. Normalisht, ndikuan edhe mungesat tek ekipi i Vllaznisë, por po të shënonte Aralica me rastin që iu krijua, jam i bindur se do të ndryshonte shumë gjëra në rrjedhën e lojës.

Për si shkoi ndeshja, barazimi ishte i mirë për Vllazninë, por ne jemi mësuar të bëjmë lojën më të bukur në Shqipëri, jemi mësuar për të parë ekipin në fazën sulmuese, për të shënuar dy-tre gola, por jo çdo ndeshje i ngjan ndeshjes tjetër. Unë shpresoj që ndeshjen me Tiranën, jam i bindur më saktë, që ka për të qenë një atmosferë tjetër dhe një lojë tjetër.

Për si shkoi ndeshja dje, ishte i denjë barazimi. Ishte një ndeshje me episode të shkurta, por e thashë edhe njëherë, janë tre-katër mungesa që bëjnë dallimin në lojën e Vllaznisë, sepse Vllaznia është mësuar me 11 lojtarë, që ja dinë lojën njëri-tjetrit.

E kam thënë edhe herë të tjera, mos të harrojmë se Vllaznia, besimin dhe mendimin kryesor, e ka për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe për të dalë në katershën e parë, është një gjë shumë e mirë për klubin.

M’u bë qejfi shumë dje, aktivizimi i Palokës, që po futen lojtarët e ri të Akademisë Vllaznia dhe ne duhet të rrezikojmë pak më shumë me këta lojtarë, pasi janë një gjë e mirë ekonomike për klubin e Vllaznisë, sepse një shitje e një lojtari të ri, është plus për ekonominë e klubit”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI